Paralajmërohen masa ndaj atyre që do të manipulojnë zgjedhjet e 4 dhjetorit në Drenas

Në ditën e përmbylljes së fushatës parazgjedhore, për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Drenasit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se kanë bërë të gjitha përgatitjet dhe kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Loading...

Ata kanë paralajmëruar dënime për të gjithë ata që do të tentojnë ose do të manipulojnë zgjedhjet në Drenas, ndërkohë që kanë thënë se gjatë fushatës nuk është shënuar asnjë incident, shkruan sot Koha Ditore.

Në një konferencë të përbashkët për media, që është mbajtur të premten, përfaqësuesit e KQZ-së, të Prokurorisë e të Policisë, kanë thënë se presin që procesi zgjedhor të shkojë sipas planifikimit dhe se kanë angazhuar personel shtesë për këtë.

Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit KQZ-së, Enis Halimi, ka thënë se përgatitjet, si dhe implementimi i procesit zgjedhor në Drenas po shkon sipas planeve operacionale të KQZ-së. Ai ka theksuar se i kanë të gjitha materialet në depot e tyre dhe se kanë përfunduar trajnimin e komisionarëve.

Halimi ka folur edhe për pastrimin e listave të votuesve. Ai nuk ka siguruar që listat e votuesve janë pastruar qind për qind, dhe për këtë përgjegjëse ka bërë Agjencinë e Regjistrimit Civil, prej të cilit ka thënë se e marrin listën.