“Ne po angazhohemi për të mbrojtur popullin e Kosovës nga një makineri vrastare që po i ndjek ata nga fshati në fshat duke i qëlluar me topa dhe tanke. Kjo nuk është një luftë, por një shfarosje”.

Ky ishte fjalimi i presidentit Bill Clinton para amerikanëve natën kur filluan bombardimet e NATO-s ndaj ushtrisë dhe infrastrukturës serbe për shkak të genocidit që po kryhej prej tyre në Kosovë.

Sot Bill Clinton ka ardhur në Kosovë 20 vjet pas atij fjalimi dhe populli po e nderon si një çlirimtar.

Fotoja e pritjes që iu bë Clintonit ka marrë mjaft vëmendje në rrjetet sociale. Ajo gjeneratë djemsh që ai i mori përdore duke i mbrojtur prej bombave serbe, tashmë e nderojnë teksa zbret në tokën e Kosovës.