Panxha: Serbia meriton bllokadë totale, qytetarët të vetëdijesohen për produkte vendore

Drejtori i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, ka thënë se tarifa prej 10 për qind për mallrat e importuara nga Serbia është masë e mirë për fillim, por që ka thënë se Serbia meriton bllokadë totale.

Loading...

Sipas tij, Serbia nuk e njeh Kosovën, por e sheh si vend ku mund të fitojë shumë ekonomikisht dhe se me paratë e qytetarëve të Kosovës po e lufton shtetësinë e saj. Në Express të KTV-së, Panxha ka thënë se është koha e fundit që kosovarët të vetëdijesohen për të blerë produkte vendore dhe të bojkotojnë ato serbe.

Ka ftuar autoritetet që t’i bëjnë ballë presionit të Bashkimit Evropian sepse, sipas tij, edhe brenda BE-së ka luftë të madhe tregtare mes vendeve dhe se aty nuk është gjithçka “kopsht me lule”.

“Masa e ndërmarrë është me rëndësi të vazhdojë të jetë në fuqi me entuziazmin që është miratuar. Qasja e Serbisë ndaj Kosovës nuk do të ndalet dhe kjo masë duhet të zgjasë më shumë”, ka thënë Panxha.

Ai ka shtuar se prodhuesit vendorë vazhdimisht janë shkelur nga ata serbë dhe se kjo çështje duhet të jetë pjesë e diskutimeve mes dy shteteve. Pos 400 milionë eurove në vit që shkojnë nga Kosova në drejtim të Serbisë, sipas Panxhës, dëmi i ekonomisë kosovare shkon deri në një miliard euro.

“Dëmi shkon deri në një miliard euro. Për ne është me rëndësi nëse vendoset tash e mbas në tavolinën e diskutimit kjo çështje. Ka nevojë për korrigjim të tregut të brendshëm të Kosovës. Flasim për tarifa, por sikur të kishim vetëdije më të lartë qytetare e po të kujtonim ato që po bën Serbia kundër neve, nuk do të duhej të vendosnim tarifa, por qytetarët duhet të bojkotojnë ato”, ka thënë ai duke shtuar se Serbia e Bosnja kanë shkelur marrëveshjen e CEFTA-s duke zbritur çmimet në Kosovë për ta fituar tregun.

Këtu ka përmendur industrinë e bllokave të ndërtimit për çka ka shtuar se Serbia e ka fituar tregun duke e zbritur çmim nën shifrën që mund ta përballojnë prodhuesit vendorë. “Pasi po e marrin tregun në dorë po luajnë me çmime”, është shprehur ai.

Produkteve nga Serbia, 10 për qind taksë më shumë si përgjigje për fushatën kundër Kosovës

Panxha ka shtuar se pas kësaj mase duhet të nisë menjëherë puna e zhvillimit të prodhimeve vendore dhe të shtohen vendet e punës.

“Me rëndësi është që të kemi vende pune në Kosovë. Kjo rini të shkojë në Evropë si turistë. Kjo s’po ndodh për shkak të dominimit të Serbisë në tregun tonë. Ata duan të shesin në Kosovë e jo të blejnë nga Kosova. Kjo s’është tregti e lirë. Është tregti që po na kushton shumë shtrenjtë. S’dua të tingëllojë politik, por prodhimi vendor po dëmtohet shumë për shkak të qasjes së Serbisë ndaj Kosovës. Tarifa prej dhjetë për qind është hap i duhur. Sjellja e Serbisë ndaj Kosovës është se ajo meriton bllokadë totale. Dhjetë përqindëshi është i mjaftueshëm si masë fillestare. Nëse s’ka ndryshim të qëndrimit të tyre, kjo masë mund të ndryshohet sepse instrumentet e tregtisë janë të ndryshme. Mund të vendosen embargo ndaj sektorëve të ndryshëm. Duhet të jemi kreativë, e të shikojmë terrenin, por a e meriton bllokadën, mendoj që e meriton. Këtë fushatë të egër të Serbisë, ne vetë po e financojmë. Është tragjike, por ne po ia dorëzojmë mbi 400 milionë euro para të shtetit tonë atyre duke i thënë ‘ja luftoje shtetësinë e Kosovës’”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se bizneset dhe prodhuesit vendorë kanë shprehur përkrahje të madhe për vendimin e marrë të martën nga qeveria e Kosovës. Ka shtuar se ky është sinjali kryesor që qytetarët e Kosovës t’i zëvendësojnë produktet serbe me ato vendore.

Panxha ka folur edhe për industrinë e transportit, me ç’rast ka thënë se mbi 2000 vende pune humbin për shkak se prodhuesit vendorë po detyrohen të gjejnë kompani të huaja për ta shfrytëzuar Serbinë si tranzit për t’i plasuar produktet në Bashkimin Evropian.