Panucci: Për të ardhmen pyesni Dukën, gabova me idenë e lojës sulmuese

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Christian Panucci, ka folur nga Durrësi në prag të miqësores kundër Uellsit, që mund të jetë e fundit për të në stolin kuqezi. Vetë italiani e largon këtë mundësi, duke refuzuar të komentojë dhe ia lë “topin” presidentit të FSHF-së Armand Duka, ndaj është e qartë që kapet fort pas kontratës, që përfundon vitin e ardhshëm.

Ndërkaq, Panucci ka komentuar krizën aktuale dhe ka kundërsulmuar, duke kujtuar listën e gjatë të mungesave në çdo ndeshje.

Loading...

Për Panuccin, ideja e një Shqipërie sulmuese ishte e gabuar dhe tani e tutje duhet ndryshim edhe në koncept loje.

 

E ardhmja, a është kjo ndeshja e fundit në stolin e Shqipërisë për ju?

Kjo pyetje i duhet bërë Dukës, jo mua. Do punoj derisa të më thonë që nuk jam më trajner i Shqipërisë. Do të vazhdoj punën, duke kërkuar ekuilibër dhe ndryshim për mirë. Duhet të mendoj vetëm të zgjidh problemet e skuadrës, këtu ka shumë të vërteta që nuk ka asnjë interes për t’i thënë.

Si mund të dalim nga tuneli?

Siç thashë pas ndeshjes kundër Skocisë, unë jam përgjegjës absolut për këtë moment të vështirë. Kush thotë që kemi një vit e gjysmë që nuk ecim mirë, u kujtoj që e mora Shqipërinë në vendin e katërt dhe dolëm në vendin e tretë. Askujt nuk i intereson që të thotë se prej një viti që mungojnë 6-7 lojtarë në çdo ndeshje. Duke menduar se ne jemi Gjermania, Brazili, bile as Gjermania, se ajo doli e fundit në grup, imgjinoni të shkretin Lëv. Imagjinoni që 10-12 lojtarë që grumbulloj nuk luajnë as në klubin e vet, askujt nuk i ka interesuar kjo gjë. Këtu mendojnë se Shqipëria shkoi në Euro 2016 dhe duhet të kualifikohet çdo vit. Jam i bindur se Shqipëria mund të pretendojë kualifikimin në Europian, por vetëm nëse është e plotë. Duke qenë se unë jam përgjegjësi i vetëm për këtë moment të vështirë, sepse kam kërkuar të fut një ide futbolli këtë vit, sidomos për Nations League, sepse kemi pasur përballë ekipe të të njëjtit nivel, dhe duke qenë se njerëzit mendjemëdhenj nuk ndryshojnë ide, unë nuk e kam problem të pranoj që duhet të ndryshojmë, patjetër. Nuk kam kohë të punoj me skuadrën, t’i jap një kondicion fizik, nuk kam as kohë të bëj futboll të evoluar dhe duhet të bëj diçka ndryshe. Historia thotë një të vërtetë tjetër dhe duke qenë se unë nuk jam budalla, duhet të ndryshoj. Padyshim, sepse nëse vazhdojmë në këtë rrugë, i vë në vështirësi lojtarët.

Çfarë do të ndryshojmë dhe kur?

Nesër ndaj Uellsit do duhet krenari e madhe nga skuadra, dëshirë e madhe për të treguar se jemi persona seriozë. Duke qenë se unë dëgjoj një stadium që më ofendon, me të drejtë, me të drejtë, e vuaj shumë këtë gjë, sepse jam person serioz dhe mundohem të punoj me seriozitet. Duhet ta them se kam gabuar këtë vit në idenë e futbollit që doja të fusja. Për pasojë, ndryshojmë, nisim një rrugë tjetër, duke shpresuar që të jetë e duhura.

Pozicioni juaj, a është i rrezikuar?

Është normale, sepse nuk po fitojmë. Deri në ndeshjen e Norvegjisë ekzistonte një ide loje që e patë edhe ju, por që tashmë nuk mban më, nuk mund të aplikohet me lojtarët, sepse nuk i stërvit çdo ditë. Po të punonim bashkë çdo ditë, do ishte ndryshe, ndaj duhet t’i prek sa më pak të jetë e mundur, edhe pse pas Nations League shumë ekipe të mëdha kanë rënë nga liga e vet dhe nuk kam dëgjuar që të flitet për largim trajneri. Ndërrimi i trajnerit është i fundit nga problemet e mia.

Mos doni të thoni që ka mbaruar koha e provave?

Jo, Nations League ishte një kompeticion, tani nisin kualifikueset e Europianit, nuk ka kohë për prova.

A mendoni se gabuat dhe a do keni kohë që të punoni si dëshironi?

Nëse më jepet koha, koha ekziston. Në të kundërt, merrni në telefon presidentin Duka, unë kam kontratë deri në 2019. Duke qenë se kam shumë respekt për veten dhe atë që më paguan, unë vuaj shumë.

A jeni i kënaqur me pozicionin tuaj?

Jam shumë i kënaqur me punën time. Nuk mund të nis të qaj për këto rezultate, duhet të shoh përpara. Jam i lumtur që jam këtu.

Në një vit e gjysmë keni ndryshuar shumë, lojtarë e skema. Cilët janë fajtorët kryesorë për këtë rënie, si ndahen përqindjet dhe nëse do ishit në vend të Dukës, çfarë do të bënit me trajnerin?

Përqindjet i bëni ju, si gazetarë. Për Dukën, nuk di ç’të them, nuk përgjigjem dot në vend të tij. Megjithatë, nuk e përmendi fare që kundër Ukrainës e Kosovës mungonin 14 lojtarë. Nuk dua të gjej justifikime, por më thoni një kombëtare që funksionon pa gjysmë skuadre. Shihni Italinë, për shembull, sa po vuan.

Duhet një fitore ndaj Uellsit, çfarë do ndryshojmë që nesër, emrat në fushë?

Kemi 16 lojtarë dhe do të mundohemi të hedhim në fushë lojtarët në gjendje të mirë, por nuk ka hapësira për ndryshime të mëdha. Kthehen Hysaj e Basha, por kemi disa lojtarë të dëmtuar.

Kur keni folur me skuadrën, çfarë keni biseduar në lidhje me të ardhmen?

Takimet tona janë takime private, flasim shumë. Jemi në të njëjtën varkë dhe në këtë moment varka është në det të trazuar, duhet ta kthejmë në ujëra të qeta.

Zhgënjimi më i madh deri tani?

Çdo humbje më zhgënjen, zhgënjim i madh është që nuk fituam grupin në Nations League.

A biseduat me presidentin Duka pas ndeshjes kundër Skocisë?

Jo, nuk u takuam.

A keni një plan B, për faktin që shumë lojtarë nuk luajnë në ekipet përkatës, apo dëmtohen?

Unë grupin e kam në mendje, sigurisht, por prej një viti 6-7 lojtarë mungojnë në çdo grumbullim. Tetë lojtarë që luajtën ndaj Skocisë nuk luajnë në klubet përkatës. Për ju nuk ka rëndësi, por për mua është problem i madh. Duhet të mundohemi të bëjmë maksimumin e mundshëm, por ideja e futbollit ofensiv që kisha në mendje ka rezultuar e gabuar nga ana ime.

Argjentinasi Tomas Guidara, e vërtetë është që mund të bëhet pjesë e Shqipërisë?

E di kush është, e kam parë, por nuk kemi folur kurrë.

Duke folur për emrat, mos ndoshta duhet parë më shumë kampionati shqiptar, sepse Uzuni u bë titullar në kombëtare sapo iku prej Shqipërisë?

Nuk është e vërtetë. Gavazaj e Lilaj ishin te Skënderbeu, ata dhe Guri grumbulloheshin kur luanin në Shqipëri. Guri tani luan jashtë, por nuk është pjesë e kombëtares sepse nuk po luan në ekipin e vet.

Për çfarë do shërbejë ndeshja e nesërme, për lojë, lojtarë të rinj, apo rezultat?

Kombëtarja mbetet kombëtare, duhet luajtur për të fituar çdo ndeshje, por kjo ndaj Uellsit është pak më delikate. Lojtarët duhet të luajnë për të zhvilluar një ndeshje serioze, sepse kur humbasim, humbasim të gjithë. Të shohim nesër.