Një pikë karburanti në fshatin Piranë të Prizrenit ishte cak i plaçkitësve mbrëmë.

Pas mesnatës, rreth orës 03:15, dy persona të maskuar dhe me armë janë futur brenda kësaj pike të karburantit ku kanë kërcënuar punëtorët e kompanisë “Shell” dhe kanë arritur që të grabisin para dhe gjëra të ndryshme nga marketi.

Pamjet e kësaj vjedhjeje që më shumë i ngjan skenave të filmave i ka siguruar Tv Prizreni.

Në këtë video shihet qartë se si dy personat e armatosur dhe të maskuar arrijnë në pikën e karburantit me një veturë nga e cila dalin me shpejtësi – njëri futet brenda marketit dhe tjetri qëndron jashtë.

Të dy kërcënojnë punëtorët e pranishëm me armë, madje duke i shtrirë ata edhe për tokë.

E gjithë ngjarja zhvillohet brenda pak sekondave, kur edhe të dy plaçkitësit largohen më pas me shpejtësi me veturën e tyre.

Togeri i Policisë Rajonale të Prizrenit, Shaban Osmanollaj, ka thënë se shuma që është grabitur në këtë market nuk është shumë e madhe dhe deri tani nuk ka asnjë të ndaluar lidhur me këtë rast.

Ai ka thënë se Policia po zhvillon hetime dhe Prokuroria është njoftuar për rastin.