Pamje të bukura të borës në Kosovë, por vështirësi në komunikacion (Foto/Video)

 

Shumica e vendeve të Kosovës janë mbuluar pothuajse tërësisht nga bora.

Reshjet e dendura që përcollën vendin që disa ditë s’kanë të ndalur as sot.

Ndonëse ka ofruar pamje të bukura, bora e dendur ka krijuar vështirësi në komunikacion si dhe nëpër trotuare e vendkalime të ndryshme.

Përmes fotografive që kanë dërguar shikuesit e Klan Kosovës shohim se qendra e kryeqytetit, duke përfshirë kampusin e UP-së e sheshet kryesore të Prishtinës, është mbuluar tërësisht nga bora.

Nga komuna e Prishtinës kanë bërë të ditur se vazhdimisht janë duke pastruar rrugët si dhe janë duke bërë hedhjen e kripës. Megjithatë, nëpër rrugët e disa lagjeve ka vështirësi për t’u bërë pastrimi, përderisa rrugët kryesore janë te kalueshme.

Deri më tani në Prishtine është raportuar për dhjetë aksidente, prej të cilave shtatë me lëndime trupore ndërsa tre me dëme materiale.

Rruga”Agim Ramadani”, Prishtinë

Ankesa nga qytetarët ka për lagjen Sofalia në Prishtinë, ku sipas një shikuese të Klan Kosovës nga dy rrugët e lagjes njëra është pastruar e tjetra jo.

Lagjja Sofalia, Prishtinë

Gjithashtu edhe fshati Teneshdoll ka ngelur i pa-pastruar, ndërsa bora ka arritur deri në 20 cm.

Teshendoll, Prishtinë

Sa i përket Obiliqit, nga kjo komunë kanë bërë të ditur se të gjitha rrugët janë të kalueshme për momentin, vështirësi ka pasur në vendet kryesisht malore, Breznicë, Kozaricë, Graboc , Siboc, Shipitullë.

Për një aksident është raportuar edhe në Istog, ku një veturë ka dalë nga rruga si pasojë e kushteve të rrugës pas  rënies së borës. Gjithashtu nga qytetarët është bërë e ditur se rrugët në Istog nuk janë të pastruara.

Nga komunat e Ferizajt dhe Prizrenit, kanë bërë të ditur se rrugët kryesore të këtyre qyteteve vazhdimisht janë duke u pastruar.

Ferizaj

Prizren

Sa i përket rrugëve nacionale, Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj ka njoftuar se puna për pastrimin e tyre po vazhdon.