Pajisi me armë rebelët sirianë? Ja si reagon ministria shqiptare e Mbrojtjes

Ditën e sotme “Birn” publikoi një artikull ku deklarohej se Ministriae Mbrojtjes i ka shitur armë “kompanisë bullgare Alguns Ltd, e cila ishte pjesë e programit të SHBA-ve për trajnimin dhe pajisjen e rebelëve sirianë”.

Pas publikimit të këtij shkrimi ka reaguar vetë ministria duke hedhur poshtë lidhjet e kompanisë me rebelet sirianë.

Por ministria shqiptare e Mbrojtjes thekson ne reagimin e saj se: “Në lidhje me shoqërinë “Alguns LTD”, është marrë edhe informacion nga qeveria Bullgare, e cila është shprehur që kjo kompani disponon licensat përkatëse për këtë lloj aktiviteti, si dhe i kaluar kontrollet e sigurisë”.
Deklarata e plote e Ministrisë së Mbrojtjes:
Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet ndërmarrjes “MEICO” që në vitin 2013 ka vendosur që të gjithë veprimtarinë e saj, përsa i përket e eksportit të stoqeve të armatim-municioneve, të trashëguara prej kohës së luftës së ftohtë ta kryejë me shtete që “end user” janë vende anëtare të NATO-s.

Kësisoj, kjo veprimtari është kryer në përmbushje të plotë me legjislacionin ndërkombëtar, detyrimet që ka Shqipëria si vend anëtar i NATO-s, si dhe angazhimeve, marrëveshjeve, traktateve të ndryshme ku vendi ynë është i përfshirë.

Ky proces është tejet transparent dhe i monitoruar nga disa organizma ndërkombëtarë.

Në lidhje me shkrimin në gazetat e sotme për shitjen e armëve ju informojmë se:

Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, licenson eksportin e armëve vetëm në bazë të garancive shtetërore nga vendi importues.

Gjithashtu çdo kompani e huaj apo shqiptare e përfshirë në një transferim armësh verifikohet nga Shërbimet e Inteligjencës si dhe nga organet e tjera që disponojnë informacione.

Në lidhje me shoqërinë “Alguns LTD”, është marrë edhe informacion nga qeveria Bullgare, e cila është shprehur që kjo kompani disponon licensat përkatëse për këtë lloj aktiviteti, si dhe i kaluar kontrollet e sigurisë.

Gjithashtu Bullgaria është një shtet anëtar i BE-së dhe NATO-s, dhe ka një sistem kontrolli eksportësh të konsoliduar.

Informacioni mbi eksportet dhe importet e armëve, përgatitet çdo vit nga AKSHE-ja dhe është i aksesueshëm për publikun.

/Sot News/