Pacolli: Serbia mbetet e burgosur në të kaluarën e vet të turpshme

Ministri i Jashtëm i Kosovës, njëherësh zëvendëskryeministër i vendit, Behgjet Pacolli, ka thënë sot se Serbia vazhdon të mbetet e burgosura e të kaluarës së saj të turpshme në rajon.

Deklaratën Pacolli e ka bërë në një postim në profilin e tij në Facebook, pas promovimit të një libri në Beograd, të Nebojsha Pavkoviqit.

Loading...

“Këtë fund të tetorit, në kuadër të një panairi të librit në Beograd, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, ka promovuar librin, respektivisht ditarin e luftës së kryekriminelit të dënuar me 22 vite burg, nga Tribunali i Hages për krimet dhe gjenocidin ndaj qytetarëve të Kosovës, Nebojsha Pavkoviq. Nga perspektiva e kriminelit, Pavkoviq në këtë libër mburret për përballjen e Serbisë me NATO-n”, ka thënë Pacolli.

“Po e nënvizoj turpin, me të cilin përmes këtij libri krekoset Ministria e Mbrojtjes së Serbisë, dhe për përmbajtjen agresive të këtij libri”, ka shtuar më pas, duke shtuar se shpreson “që të njëjtën qasje ndaj këtij publikimi të turpshëm do të kenë edhe homologët e mi e vendet anëtare të NATO-së dhe institucionet ndërkombëtare të drejtësisë”.

“Disa nga kryekriminelët në Serbi janë dënuar, të tjerë shëtisin të lirë, por sidoqoftë Serbia duke promovuar libra të kriminelëve të rangut ndërkombëtarë vazhdon të mbetet e burgosura e të kaluarës së saj të turpshme në rajon”, ka thënë Pacolli në fund.