Pacolli e konfirmon darken plot tensione, thotë se nuk kishte helm

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka konfirmuar një darkë të shtruar në shtëpinë e tij për liderët e shtetit: Hashim Thaçin e Ramush Haradinajn.

Këtë konfirmim lideri i AKR’së e ka dhënë pas një shkrimi të Gazetës Express, në të cilin jepen detaje të darkës, në të cilin kishte pasur tensione ndërmjet Presidentit Thaçi e Kryeministrit Haradinaj, të cilët po vazhdojnë ta akuzojnë njëri-tjetrin edhe për shkelje të Kushtetutës.

Loading...

“Në shtëpinë time nuk ka helm e as darka të helmuara. Jam i shqetësuar më guximin e juaj për të gënjy. Nuk mund të helmohet opinioni me lajme të tilla të pavërteta. Në shtëpinë time kam shtruar darkë miqësore me miq (me siguri edhe për ju që sot përbuzeni).  Secili informacion tjetër është i pavërtetë dhe gënjeshtër!”, ka shkruar Pacolli, në reagimi e publikuar në FB.

Në anën tjetër, Berat Buzhala, autor i tekstit “Darka plot helm e Thaçit dhe Haradinajt te Pacolli”, ka shkruar se ka përdorë një figurë stilistike kur ka shkruar tekstin për darkën në shtëpinë e njeriut të dytë të Qeverisë.

“Me gjase Baci nuk e kuptoi metaforen e shkrimit te sapo botuar ne Express, me titull: “Darka plot helm e Thaçit dhe Haradinajt te Pacolli”. Bac, nuk e mendova qe nime ka pase “plot helm” ne darke. Me helm e mendova tensionin ne mes ketyne dyve, Hashes e Ramushit. Sigurisht qe ju per kete nuk jeni fajtor aspak, prandaj as nuk ke arsye perse me u shqetesu. Ju nuk jeni as burimi i shkrimit”, ka shkruar Buzhala, në një përgjigje në Fb.

Buzhala ka shkruar se Pacolli s’ishte subjekt i shkrimit të tij por përplasja e mysafirëve të tij, të cilët para darkës kishin dhënë intervista akuzuese ndaj njëri-tjetrit.

“Keni aludu qe edhe une, ndonjehere, kam hanger darke aty. Patjeter qe kam hanger. Kam qene i ftuar ne darke. Ke hanger edhe ti te une, edhe pse ndoshta cilesia e ushqimit dhe e sherbimit ka qene me e ulte te une.  Pra, kerkush nuk po ta perqesh konakun, e as ushqimin, por mysafiret qe i ke pase. Madje as keta jo. Thjesht ishte nje lajm. Keep calm and relax”, ka shtuar Buzhala.

Ndërkohë, në tekstin e publikuar në Express, shkruan se të hënën që e kemi lënë prapa Presidenti Thaçi dhe Kryeministri Haradinaj, përmes intervistave televizive, në dy studio të ndryshme, njëri në T7 e tjetri në Klan Kosovë, i kanë dërguar mesazhe të forta njëri tjetrit, lidhur me zhvillimet më të fundit për mundësinë e arritjes së një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

Një natë më vonë, derisa tensionet ende nuk kishin rënë, Thaçi dhe Haradinaj janë ftuar nga zëvendëskryeministri Pacolli, për një darkë të përbashkët, me shpresën për t’i ulur gjakrat. Mirëpo, nuk është hera e parë që gjërat shkojnë krejtësisht në anën e kundërt të asaj cfarë ishte menduar.

Kështu, Gazetës Express i kanë treguar tri burime të ndryshme, të afërta me Pacollin, Thacin dhe Haradinajn, se darka, e cila ka zgjatur deri pas mesit të natës, ka qënë cdo gjë tjetër përvec pajtuese.

“Ka pasë të shara, ka pasë ngritje të zërit”, kanë thënë burimet e Expressit, duke shtuar që të pranishëm aty kanë qënë Thaçi, Haradinaj, Pacolli dhe këshilltari i këtij të fundit, Jetlir Zyberaj. Kuptohet, edhe shërbyeset nga Filipinet, që janë staf i rregulltë në shtëpinë prej mijëra metrave katror të Pacollit në Hajvali.