Opozita paralajmëron rebelim në Kuvend

Subjektet opozitare, Lëvizja “Vetëvendosje”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe “Nisma për Kosovën”, do të marrin pjesë në seancën e paralajmëruar të Kuvendit të Kosovës, më 1 shtator, në të cilën, ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, do të hidhet në votim. Përfaqësuesit e të tri subjekteve opozitare, thonë se do të votojnë kundër kësaj Marrëveshjeje.

Loading...

Megjithatë, Ylli Hoxha nga Lëvizja “Vetëvendosje” thotë për REL-in se përpjekjet e këtij subjekti opozitar për ta ndalur ratifikimin e Marrëveshjes, përveçse në Kuvend, do të bëhen edhe përmes protestës, të cilën e kanë ftuar për datën 1 shtator.

“Ne konsiderojmë që vendimi për dërgimin e Marrëveshjes së Demarkacionit për ratifikim në Kuvend, është rrëshqitje drejt një tradhtie, e cila tash po dëshirohet që të shpërndahet si përgjegjësi në Kuvendin e Kosovës. Si të tillë, e shohim të papranueshme, prandaj kemi thirrur protestë për datën 1 shtator dhe në këtë protestë do të protestojmë edhe në shesh, si qytetarë, por edhe në Parlament…”, thotë Hoxha.

Ahmet Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke folur për Radion “Evropa e Lirë”, thekson që ky subjekt opozitar e kundërshton ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, duke e quajtur atë si qëndrim vetëm të Qeverisë së Kosovës.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kundërshton dhe kërkon nga deputetët që të votojnë kundër këtij qëndrimi të Qeverisë, sepse konsiderojmë se Kosova po humb territor, duke u bazuar në ekspertizën e ekspertëve më eminent, madje edhe të atyre që i takojnë pozitës. Ne nuk jemi pjesë e organizimit të protestës. Por, normalisht, është e drejtë qytetare e kujtdo që të dalë në kundërshtim të kësaj Marrëveshjeje”, thekson Isufi.

Zafir Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës nga “Nisma për Kosovën”, thotë për Radion “Evropa e Lirë” se deputetët e këtij subjekti opozitar do të jenë pjesë aktive në seancën e 1 shtatorit të Kuvendit të Kosovës, për t’i ripërsëritur qëndrimet kundër ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, por edhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa, u kanë bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta votojnë ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi. Në këtë funksion kanë qenë edhe porositë që ditë më parë i ka bërë nënpresidenti amerikan, Joe Biden, gjatë qëndrimit në Kosovë. Megjithatë, këto porosi nuk kanë bërë që subjektet opozitare të lëvizin nga qëndrimet e tyre./Zeri