OKB refuzon propozimin e SHBA-ve për të dënuar lëvizjen palestineze

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka hedhur poshtë rezolutën e sponsorizuar nga SHBA-të, e cila kërkonte dënimin e Lëvizjes palestineze të rezistencës Hamas, raporton Anadolu Agency (AA).

Loading...

Rezoluta e mbështetur fuqishëm nga Izraeli dhe SHBA-të, kishte nevojë për një shumicë prej dy të tretash për të kaluar pas votimit të mëparshëm në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Votimi së fundi dështoi të kalojë pragun më të lartë, pasi 87 kombe votuan në favor dhe 57 kundër, ndërsa 33 kombe abstenuan.

Rezoluta ishte një nga veprimet përfundimtare në trupin ndërkombëtar të të dërguares së SHBA-ve në OKB, Nikki Haley, para se ajo të largohet nga posti në fund të vitit.

Jason Greenblatt, i dërguari i paqes i presidentit amerikan në Lindjes e Mesme, e kritikoi dështimin e votimit, duke e quajtur “absolutisht të turpshëm”.

“OKB nuk arriti të dënojë Hamasin, edhe pas viteve të sulmeve përmes bombave vetëvrasëse, rrëmbimeve, raketave dhe shumë gjërave të tjera kundër izraelitëve. Duartrokitja pas votimit thotë gjithçka”, shkroi ai në llogarinë e tij në twitter.

Palestina përshëndet refuzimin e rezolutës

Qeveria palestineze sot përshëndeti vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për mos miratimin e rezolutës së SHBA-ve. Në një deklaratë, selia në Ramallah falënderoi anëtarët që votuan kundër projekt-rezolutës.

“Nuk do të lejojmë dënimin e luftës kombëtare palestineze”, thuhet në deklaratë, cituar nga agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa.

Marrëdhëniet midis SHBA-ve dhe Palestinës janë përkeqësuar që nga viti i kaluar kur presidenti amerikan, Donald Trump, e njohu në mënyrë të njëanshme Kudsin si kryeqytet të Izraelit.