Odat Ekonomike kërkojnë riaktivizimin e Bordit për Rishqyrtime

Duke u nisur nga fakti se shumë nga dispozitat e ligjeve përkatëse që rregullojnë aspektet tatimore dhe doganore të Kosovës nuk janë të qarta ose lënë hapësirë për dykuptimësi që çon në vendime arbitrare të institucioneve përgjegjëse për mbledhjen e të hyrave, si dhe duke u nisur nga nevoja për një mekanizëm të pavarur i cili në mënyrë të shpejtë do të shqyrtonte ankesat e komunitetit të biznesit, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkojnë nga Qeveria e vendit që urgjentisht të vazhdojë mandatin e Bordit të Pavarur për Rishqyrtime.
Komuniteti i biznesit në vend shpreh shqetësimin e tij lidhur me shuarjen e Bordit të Pavarur për Rishqyrtime, si organ administrativ dhe kalimin e përgjegjësive të këtij Bordi në Gjykatën Themelore, përkatësisht në Departamentin Administrativ-Divizionin Fiskal, ku nga data 1 dhjetor 2012, të gjitha ankesat kundër vendimeve të Administratës Tatimore të Kosovës, si dhe Doganës së Kosovës i adresohen kësaj gjykate.
Grumbullimi i numrit të madh të ankesave që presin të shqyrtohen nga gjykata e sipërcekur, tashmë e konfirmuar edhe nga drejtuesit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, dëshmon se trendi në rritje i parashtrimit të ankesave të natyrës fiskale është më i lartë se sa mundësitë reale për trajtimin dhe zgjidhjen e këtyre rasteve.
Odat ekonomike shprehin shqetësimin e tyre se koha e stërzgjatur për trajtimin e ankesave të bizneseve paraqet shkelje serioze të parimeve të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventës Evropiane mbi të Drejtat e Njeriut.
Duhet theksuar se me skadimin e mandatit ligjor të Bordit, ndërmarrjeve tatimpaguese u është cenuar një e drejtë ligjore e përfaqësimit të Bordit në seanca dëgjimore për rastet e apeluara kundër aktvendimeve të Bordit në Gjykatën e Apelit, ku mbajtja e seancave dëgjimore është obliguese sipas nenit 8 të Ligjit Nr.03/L-102. Para hyrjes në fuqi të këtij ligji, kontestimi i aktvendimit të Bordit është garantuar në dy shkallë pranë Gjykatës Supreme të Kosovës, kurse pas ndryshimeve ligjore dhe transformimit të sistemit gjyqësor, është paraparë e drejta e ankimimit vetëm në një shkallë dhe atë në Gjykatën e Apelit.
Duke u nisur nga shqetësimet e cekura më sipër, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkojnë nga Qeveria e vendit që të marrë në konsideratë çështjet e ngritura përmes këtij dokumenti të përbashkët pozicionues dhe të marrë vendim për riaktivizimin e Bordit të Pavarur për Rishqyrtime, për punën e të cilit vlerësime pozitive janë dhënë jo vetëm nga bizneset por edhe nga ekspertët e pavarur ligjorë vendorë dhe ndërkombëtarë.