Numri i viktimave nga tërmeti në Indonezi arrin në 1.407

Është rritur në 1.407 numri i viktimave nga tërmeti dhe cunami pasues që goditi Ishullin Sulawesi në Indonezi, njoftoi Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Katastrofave e Indonezisë (BNPB), transmeton Anadolu Agency (AA).

Loading...

Zëdhënësi i BNPB-së, Purwo Nugroho, tha se 519 trupa të pajetë janë varrosur, duke shtuar se 2.549 persona kanë pësuar lëndime dhe mbi 100 të tjerë janë të zhdukur.

  • OKB premton ndihmë për viktimat e tërmetit dhe cunamit
  • Situatë e rëndë në Indonezi, mungojnë ushqime dhe veshmbathje
  • Indonezi, rreth 600 mijë njerëz të prekur nga tërmeti presin ndihmë
  • Indonezi, pas tërmetit dhe cunamit arratisen 1.425 të burgosur

Zyrtarët bënë të ditur se mbi dy mijë shkolla në rajon janë dëmtuar dhe se për vazhdimin e procesit arsimor do të përdoren klasa të përkohshme.

Nugroho dje njoftoi se 61.867 persona janë duke u mbajtur në strehimore të përkohshme.

Ndryshe, Ishulli Sulawesi të premten u godit nga një tërmet i fiqushëm, i cili shkaktoi cunami të lartë nga tre deri në gjashtë metra në qytetet Donggala dhe Palu. Tërmeti me intensitet 7,5 ballë ndodhi 27 kilometra në veri të Gjirit të Palus, treguan të dhënat e Institutit Amerikan për Vrojtime Gjeologjike (USGS).

Burimet lokale, nga ana tjetër, thanë se tërmeti ishte me magnitudë 7,4 shkallë.

Indonezia bën pjesë në të ashtuquajturin “Unazën e Zjarrtë të Paqësorit”, ku tërmetet dhe shpërthimet vullkanike janë të shpeshta.

Tërmetet që goditën Ishullin Lombok të Indonezisë në fund të korrikut dhe në muajin gusht me magnitudë 6,3, 6,9 dhe 7 ballë lanë të vdekur 563 persona, kurse u dëmtuan mbi 450 mijë.

Më 26 dhjetor të vitit 2004, Indonezia u godit nga një tërmet tejet i fuqishëm me intensitet 9,1 shkallë, i cili u pasua nga cunami, si pasojë e të cilit jetën humbën 230 mijë persona në një territor që përfshiu edhe shtete të tjera të rajonit.