Një drenicase këshilltare e Presidentes kroate, flet për mbështetjen e Kroacisë për Kosovën

Kosovarja Gentiana Fana, është pjesë e zyrës së Presidentes kroate Kolinda Grabar – Kitaroviq.

Loading...

Fana atje shërben si anëtare e Këshillit Rinor në zyrën presidenciale të Kroacisë, ndërsa ajo qysh në moshën dyvjeçare ishte larguar nga Kosova për tu vendosur bashkë me familjen në Zagreb, njofton Klan Kosova.

25 vjeçarja ka prejardhje nga komuna e Drenasit, ndërsa në një prononcim të dhënë për klankosova.tv ajo ka shpalosur disa nga detajet e angazhimeve të saj sa i përket pozitës që ajo ka në shtetin kroat:

”Me presidenten Kolinda Grabar- Kitaroviq gjithnjë kishim takime profesionale të cilat ndërlidhen me rininë dhe problemet me të cilat ata ballafaqohen”.

Ajo tregon edhe për takimin më të veçantë që pati me të:

”Takimi që më la më së shumti përshtypje ishte ai së bashku me të rinjtë tek shtëpia për fëmijë pa prind, pasi problemet me të cilat ballafaqohen ata çdo ditë janë të papërshkrueshme”, thotë ajo, njofton Klan Kosova.

Drenicasja Gentiana Fana, e cila jeton dhe vepron në Kroaci, theksoi për klankosova.tv edhe raportet që ky shtet vazhdon t’i ketë me Kosovën pasi dhe shpesh herë në vizitat zyrtare që Presidenti Hashim Thaçi realizoi atje, ajo ishte pjesë e disa takimeve:

”Kroacia e sheh Kosovën si një shtet mik, një aleat me të cilin mund të bashkëpunojë. Por për fat të keq, nga ana e Kroacisë ende nuk ka aq shumë investime në Kosovë ose Shqiperi dhe qëllimi i diasporës në Kroaci është të ritim investimet”.

Më tej ajo shton se Zagrebi zyrtar do e mbështesë rrugën e kosovarëve drejt Bashkimit Europian, njofton Klan Kosova.

”Kroacia mbështetë Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, por kjo varet më shumë nga vet shteti i Kosovës”.

Gentiana Fana është e vetmja nga Kosova e cila është pjesë e Këshillit Rinor e zyrës presidenciale në Kroaci, pasi ky këshill sipas saj ka dy vjet që është formuar dhe rënditet i pari në historinë e Kroacisë i këtij niveli.

”Në zyren e presidentes nuk ka të tjerë shqiptarë perveç meje”, thotë ajo.

Anëtarja e Këshillit Rinor në Kroaci, Gentiana Fana, ka treguar se aktivitetet e saj në këtë lëmi nuk përfundojnë me kaq.

”Angazhimi im i ardhshëm është Leadership Academy në Bruksel ku jam e ftuar nga Komisioni Europian si përfaqësuese e vetmja e Kroacisë. Së bashku me 26 të rinjtë tjerë (një nga çdo shtet i Bashkimit Europian)”.

Në këtë akademi ajo thotë se pritet të krijohet programi për rininë i cili do të prezentohet dhe zbatohet pas zgjedhjeve europiane.

Duke qenë se është pjesë e institucionit më të lartë shtetëror të Kroacisë, duke përfaqësuar rininë në botë, ajo apelon tek të rinjt që të jenë këmbëngulës në qëllimet që ata kanë, njofton Klan Kosova.

Gentiana Fana në Kroaci studioi në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Zagrebit.