Nisma vendos se a do të ketë bashkëpunim me Milaim Zekën

Deputeti Milaim Zeka pas polemikave të shumta për çështje të ndryshme me zyrtarët e deputetët e subjekteve tjera, tashmë ka nisur përplasjet edhe me drejtues të partisë, e cila i dha një vend në Kuvendin e Kosovës.

Loading...

Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate thotë se dallimet e partisë me Zekën vetëm sa janë duke u thelluar dhe për vazhdimin ose jo të bashkëpunimit do të vendosin organet drejtuese të Nismës.

Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Bilall Sherifi, ka thënë se deputeti Milaim Zeka nuk është anëtar i Nismës.

Sherifi që është edhe shef i deputetëve të kësaj partie, në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve, FaktePlus, thotë se kolegu i tij Zeka, funksionon si deputet i pavarur në kuadër të grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate.

“Milaimi është Milaim, nuk është anëtar i Nismës Socialdemokrate, është deputet i pavarur që funksionon në kuadër të grupit parlamentar të Nismës. Pra, Milaimit ia kemi dhënë një vend në Nismë, me dallimet që kemi pasur që nga fillimi me Milaimin. Dallimet janë duke shkuar duke u thelluar”, ka thënë Sherifi për FaktePlus.

Duke qenë se dallimet janë duke u thelluar, Sherifi thekson se megjithatë, janë organet e partisë ato që marrin vendim se si do të jetë bashkëpunimi i tyre me deputetin Zeka.

“Se cili do të jetë bashkëpunimi në të ardhmen i Milaimit me grupin parlamentar të Nismës, kjo nuk është e drejt e imja që të vendosi vetë, kjo është çështje e grupit parlamentar në përgjithësi”, theksoi ai.

Kohëve të fundit përplasjet mes deputetit Zeka dhe anëtarëve të Nismës Socialdemokrate, janë thelluar, sa që edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Jakup Krasniqi, i ka rënë pishman që ia mundësoi Zekës të kandidonte për deputet me emrin e Nismës.

“Nëse gjatë këtyre viteve pendohem për ndonjë veprim timin është: Pranimi i Milaim Zekës që të garoi në Listën e Nismës për deputet i Kuvendit të Kosovës. Për ketë gabim timin, qytetarëve të Kosovës, burrave e grave U KËRKOJ FALJE! U kërkoj falje për gjuhën që ai përdor në Kuvendin e Kosovës dhe e cila gjuhë e degraduar hynë në çdo familje shqiptare”, kishte shkruar Krasniqi në rrjetin social.

Ndaj këtij shkrimi kishte reaguar deputeti Zeka, duke i thënë Krasniqit se do të flas për veprimet e këtij të fundit.

“Ty të pengon fjalori im, ndërsa mu më kane pengu veprimet tua, për te cilat do te flas një dite. Ty te pengon fjalori im, sepse ai fjalor e godet hajnin, hipokritin, te pabesin dhe shkatërrimtarin e shtetit. Unë nuk jam penduar për asgjë. Kam vetëm një pyetje: Çka kam përfitu unë nga politika dhe Nisma?!!! Hajt ma thuaj vetëm një gjë?. Fjalori im i pengon vetëm profiterat, askënd tjetër…”, ka shkruar Zeka.

Por, pavarësisht këtyre përplasjeve, sekretari i Nismës, Bilall Sherifi thotë se nuk është ai që merr vendim për përjashtimin e Zekës nga partia.

“Pra, dallime kemi pasur që nga fillimi, i kemi respektuar dallimet që kemi pasur, ato janë duke shkuar duke u thelluar, por unë nuk jam ai as që pranojë dikë, as që përjashtojë dikë, janë organet të cilat vendosin për vazhdimin apo jo të bashkëpunimit me deputetin e pavarur Zeka. Aktualisht ai është anëtar i grupit parlamentar, cili do të jetë raporti jonë nesër me të, mbetet të shihet”, tha Sherifi për FaktePlus.

Se nuk është anëtar i Nismës Socialdemokrate të Kosovës, e ka pranuar edhe vet deputeti Zeka, duke thënë se është vetëm deputet në grupin parlamentar të kësaj partie.

“Unë nuk jam anëtar fare i Nismës, nuk ka lidhje partia me deputet, shumë drejt dhe korrekt ka fol, qashtu është, unë s’jam anëtar i Nismës. Unë jam veç deputet, deputet i Grupit Parlamentar Nisma. Nuk jam anëtar, dhe kjo është hera e parë që Bilalli ka fol korrekt”, tha Zeka për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.

Përplasjet mes deputetit Zeka dhe zyrtarëve tjerë të Nisës Socialdemokrate kanë filluar muaj më parë, pasi Zekës i doli një përgjim në të cilin përflitej emri i kryetarit të Nismës Fatmir Limaj se kishte kërkuar ryshfet kur ishte në krye të Ministrisë së Transportit.