Nisin hetimet për vdekjen e 19-vjeçarit nga Drenasi pas operacionit në QKUK

Prokuroria e Prishtinës është duke hetuar vdekjen e dyshimtë të të riut në QKUK.

Loading...

“Prokuroria është duke hetuar vdekjen e të riut si vdekje e dyshimtë derisa të grumbullohen të gjitha informatat e nevojshme”, tha prokurori Armend Hamiti për Kallxo.com.

Sipas Hamitit, prokuroria është në pritje të raportit të obduksionit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, dhe më pas do të ndërmerren veprime të nevojshme në lidhje me këtë rast.

Policia e Kosovës ka njoftuar se i riu kishte vdekur si pasojë e komplikimeve gjatë një operacioni që i ishte nënshtruar në QKUK.

“Pas një operacioni, viktimës i është keqësuar gjendja shëndetësore ku më pas si pasojë e komplikimeve viktima ka nderuar jetë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Televizioni 7 ka marrë dje rrëfimin e babait të Drin Lekut, 19-vjeçari i cili vdiq pas një operacioni që kishte pasur në Qendrën Klinike Universitare.

Babai i Drinit akuzonte stafin mjekësor për vdekjen e djalit të tij.