Nga Zvicra deri në Strugë udhëtoi me biçikletë!

21 vjecari Egzon Veliu, me origjinë nga fshati Zhepin i Strugës i lindur në Zvicër, së bashku me shokun e tij Baris Yilmaz nga Stambolli i Turqisë, kanë sfiduar mundësitë e tyre fizike, duke realizuar një nga udhëtimet mbreslënëse me biçikletë nga Cirih i Zvicrës drejt Strugës.

Loading...

E gjitha filloi si një bast, tregon Egzoni për gazetën‘KOHA’, i cili këtë përvojë e konsideron mjaftë të dobishme në rrafshin personal, sepse siç thotë limitet fizike, përballen me ato reale. Ai pavarësisht që ka lindur në Zvicër, vazhdon të ushqej një ndjenjë të fortë për vendin e origjinës, duke thënë se jo rastësisht si destinacion fundor të turit të tij zgjodhi Strugën. Për Veliun, udhëtimet me mjete të tjera padyshim që kanë rëndësinë e tyre, por udhëtimi me biçikletë, është më përmbajtësor dhe më real, sepse të jep mundësi të prekish nga afër më shumë vende, peisazhe, panorama si dhe kulturat e ndryshme.

Udhëtimi vazhdon ai, nisi nga Cirih duke përshkuar alpet, për të vazhduar drejt Italisë–Sllovenisë-Kroacisë-Malit të Zi-Shqipërisë deri në Strugë. I gjithë ky itinerar, u realizua për 23 ditë me ndalesa të herëpashershme në lokacione të ndryshme, tregon Egzoni.

‘Edhe pse nuk u përgatita për këtë udhëtim, më duhet të them se pavarësisht sfidave që kaluam ishte udhëtim që i’a vlejti në kuptimin e mirë të fjalës. Të udhëtosh për 23 ditë me biçikletë është një gjendje dhe përjetim që nuk e merr në forma të tjera të udhëtimit. E gjitha filloi si një lojë, si një sfidë që bashkë me shokun tim të fëmijërisë në Zvicër, Baris Yilmaz i cili prej 10 vitesh është kthyer të jetoj në Turqi ndërmorëm për të përjetuar një përvojë tjetër’, thekson ai.

Ndërkohë, kur pyetet se a do ta ripërsërisë këtë udhëtim edhe në të ardhmen, ai thotë se për momentin këtë kapitull e konsideron të mbyllur, pavarësisht që e ripërsërit qëndrimin se ishte një udhëtim që i’a vlen të bëhet të paktën njëherë në jetë. Egzoni tregon se do të qëndroj në Strugë edhe tre ditë për tu rikthyer rutinës së jetës në Zvicër.

‘Pa marrë parasysh rrethanat dhe angazhimet në Zvicër, Struga për ne është vendi të cilin gjithmonë duhet vizituar sidomos nga ne që origjinën e kemi nga ky vend’, përfundon 21 vjeçari, Egzon Veliu. /Telegrafi/