Nëna hedh foshnjën në plehra: Kam edhe 3 fëmijë të tjerë nuk kam të holla t’i mbaj

“Hodha foshnjën në plehra, pasi kam edhe tre fëmijë të tjerë dhe nuk kisha mundësi ekonomike për ta mbajtur”.

Kështu është shprehur në Policinë e Lushnjës një 32-vjeçare e identifikuar si nëna e një foshnje të gjetur pa jetë në koshat e mbeturinave në këtë qytet.

Loading...

Dyshohet se shtetasja A.Nexha e ka hedhur foshnjën dy ditë pas lindjes, duke menduar se dikush do të dëgjonte të qarat dhe do të shpëtohej në sajë të ndërhyrjes së Policisë. Por fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur e për rrjedhojë, foshnja fatkeqe është gjetur pa jetë nga banorët.

Ata sinjalizuan menjëherë Policinë dhe pas hetimeve të kryera dhe verifikimit të disa kamerave të subjekteve përreth, u arrit të identifikohej dhe ndalohej nëna e re. “Rreth orës 08:30, në lagjen ‘Kongresi’ në Lushnjë, në afërsi të Bashkisë Lushnjë, pranë një koshi plehrash është gjetur një foshnjë dyditëshe e pa jetë. Menjëherë u ngrit grupi hetimor dhe nga hetimet paraprake dyshohet se foshnja është braktisur nga nëna e saj, shtetasja A.N., 32 vjeçe, e cila është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lushnjë”, bëri të ditur Policia.

Pas shoqërimit, gruaja e ka pranuar menjëherë veprimin e kryer, teksa ka pohuar se kishte qenë e detyruar të vepronte në këtë mënyrë pasi nuk kishte bukë as për tre fëmijët e tjerë, raporton “Panorama”.

“Jam pa punë bashkë me burrin. Mezi po mbajmë edhe tre fëmijët që kemi. Isha e detyruar ta braktisja, pasi nuk kisha asnjë mundësi që ta rrisja.

Nuk pata mundësi as ta abortoja kur foshnja ishte pak muajsh”, është shprehur në Polici 32-vjeçarja, që i përket komunitetit rom.