Më qëllim të promovimit të të rinjve, angazhimit të tyre, dhe të plotësimit të nevojave të studentëve gjatë studimeve, në Skenderaj gjatë ditës së sotme është hapur ndërmarrja sociale, “Snap Cake”.

Në këtë pastiçeri do të punojnë tetë vullnetarë, të cilët në vend të pagesës mujore, do të marrin bursë për studime.

Arben Veliu, koordinator i qendrës rinore publike, tha se qëllimi i hapjes së këtij lokali është që të ndihmohen studentët gjatë studimeve.

“Valltarët e ansamblit dhe vullnetarët e qendrës, sot ju kemi krijuar një mundësi që të punojnë. Përndryshe janë studenta, në vend të pagesës së tyre mujore këta do të marrin bursë për studime. Kështu ishte mundësia e kësaj iniciativës sonë. Pastiçeria Snap Cake menaxhohet nga qendra rinore. Jemi tejet të lumtur që kemi arritur që tortën ta blejmë në Llaushë, bakllavën ta blejmë në Klinë, një tjetër ta blejmë në Kopiliq, e kështu do të jetë organizimi ynë me ëmbëlsira. Do të thotë këtu do të vijnë të shiten, produktet e nënave tona që kanë mundësinë t’i shesin produktet për familjet e tyre…. I gjithë qëllimi i këtij lokali ishte që t’i ndihmojmë studentët në studime, të gjitha të hyrat e këtij lokali do të shkojnë për këta të rinj”, tha ai.

Veliu tha se kjo pastiçeri nuk do të jetë e zakonshme. Aty çdo ditë do të performojnë edhe anëtarët e ansamblit “Drenica”. Në shenjë falënderimi, në këtë lokal janë gdhendur edhe emrat e donatorëve të cilët ndihmuan këtë projekt. Ky projekt është përkrahur edhe nga komuna e Skenderajt.

Kryetari i kësaj komune, Bekim Jashari, u zotua që mbështetja institucionale nuk do të mungojë asnjëherë.

“Unë ndjehem jashtëzakonisht mirë, që sot jam në një ambient ku rinia e qytetit tonë, do ta ketë si shtëpi të dytë përveç Shtëpisë së Kulturës, ku do të kalojnë kohën e lirë dhe ku do të kenë aktivitete të ndryshme. Mbështetja institucione nuk do të mungojë asnjëherë, siç nuk ka munguar deri më sot. Aq sa na lejojnë rregullat, ligjet do të jemi pranë dhe me juve bashkë dhe uroj të keni shëndet dhe sukses. E ndoshta do të hamë ëmbëlsira të mira sa herë të vijmë këtu”, tha Jashari.

Rexhep Gojnovci përfaqësuesi i UNDEF-it, që është edhe donatori kryesor, tha se ky projekt synon aktivizimin dhe angazhimin rinor.

“Nëpërmjet këtij projekti ne kemi dashur të zhvillojmë edhe të rrisim kapacitetin dhe angazhimin rinor. Me theks të veçantë të rrisim aktivizimin e tyre qytetarë për të kontribuar, dhe për të qenë të rinj më aktiv në jetën e përditshme. Kjo pastiçeri apo ndërmarrje sociale do të jetë në fokus të të rinjve, do të zhvilloj gjithçka dhe do të jetë në shërbim të tyre, duke u munduar se sa do pak nevojat e tyre prej studenti ose prej qytetari të ndihmoj dhe tu dal në ndihmë”, tha ai.

Gojnovci tha se përmes donatorit të tyre, do të vazhdojnë përkrahjen e kësaj qendre edhe për dy vitet e ardhshme.

Vullnetarisht në këtë pastiçeri do të punojnë gjashtë vajza dhe dy djem. Njëri nga këta vullnetarë, është edhe Qëndrim Beka.

Ai ka falënderuar të gjithë për përkrahjen e këtij projekti të të rinjve.

“Jam student në drejtimin e edukimit, njëkohësisht përveç që jam anëtar i qendrës rinore jam edhe anëtar i Ansamblit “Drenica”, njëkohësisht valltar. Shumë të rinj kanë dhënë kontributin e tyre, andaj sot ata që janë dhënë kontribut janë pjesë e saj. Falënderojmë UNDEF-in amerikan të cilët na kanë jep një përkrahje jashtëzakonisht të madhe, ky projekt ka fillu shumë më moti, tash e dy vjet, kam qenë pjesë edhe e këtij projekti, përveç kësaj i falënderojmë të gjithë ata që na kanë përkrah. Përveç UNDEF-it është edhe Komuna e Skenderajt të cilët kanë dhënë kontributin e tyre”, tha Beka.