Në një datë si kjo, pikërisht me 10 janar 1957, në burgun e Goli Otokut, ku po vuante dënimin si i burgosur politik, në mënyrën më mizore është vrarë gjyshi im Azem (Daut) Nika nga pushtuesit serbo-jugosllavë.

Familja për këtë krim nuk dinte asgjë, pasi që të burgosurve politik në burgun e Goli Otokut, në atë kohë, nuk ju lejoheshin vizitat dhe asnjë lloj i komunikimit me familje. Tek pas dy muajsh me datën 14 mars 1957, familjarët kishin pranuan një telegram të shkurtër në gjuhën serbe, pa asnjë shpjegim, me këtë përmbajtje:

Azem (Daut) Nika ka ndërruar jetë në burgun e Goli Otakut me datën 10.01.1957 dhe i njëjti është varrosur me datën 12 janar 1957 në varrezat e përbashkëta në Kozala.

Mirëpo kjo nuk kishte qenë një vdekje e natyrshme. Sipas dëshmive të të burgosurve shqiptarë, të cilët kishin pasur fatin të dalin të gjallë nga ky burg famëkeq, kanë treguar se, gjyshi im, Azem (Daut) Nika, në prani të të gjithë të burgosurve ishte hedhur nga gardianët e burgut në makinërinë për bluarjen e gurëve. Gjithnjë sipas këtyre dëshmitarëve nga tmerri që kishin parë, një i burgosur kishte bërë vetëvrasje.

Po, kush ishte Azem (Daut) Nika?

Azem (Daut) Nika i përkiste gjeneratës së parë të nxënësve të shkollës së Dritanit (ish Dobroshecit), e cila ishte hapur në vitin 1927. Pas përfundimit të shkollës fillore me sukses të shkëlqyeshëm, ai kishte ndjekur disa kurse për tregti në Gjakovë, kështu që për kohën, ai ishte njeriu më i shkolluari në këto anë. Fillimisht kishte punuar si zyrtar në Zyrën e Gjendjes Civile në Dritan dhe pastaj ishte bërë i njohur me hanin (dyqanin) e tij po ashtu në fshatin Dritan (ish Dobroshec).

Gjatë Luftës së Dytë Botërore Azem Nika, së bashku me vëllëzërit e tij Hetemin dhe Bilallin kishin qenë pjesëmarrës aktiv, përkrah Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës, në luftën kundër okupatorëve sllavokomunist. Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore kishte filluar përndjekja, keqtrajtimi dhe burgosja e atdhetarëve. Këta atdhetarë nuk ishin pajtuar assesi me këtë gjendje dhe kishin dalë maleve duke u organizuar prapë dhe duke vepruar në fshehtësi.

Sipas Ahmet Qeriqi (2004) forcat e vërteta kombëtare, të cilat nuk ishin kompremetuar as në formacionet profashiste, as në ato të partizanëve të Titos, vendosin të veprojnë në një platformë të re të riorganizimit. Këto forca tashmë kishin krijuar Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare, si dhe shtabet e disa zonave, duke bërë përpjekje për ta rikthyer në skenën e diplomacisë botërore çështjen e Kosovës.

Pjesë e këtyre grupeve të NDSH-së ishte edhe Azem (Daut) Nika, i cili kishte marrë pjesë në Kongresin e Dobërdolit dhe të Lipovicës (Blinajës), mbajtur më 25 korrik të vitit 1946. Në ndërkohë disa luftëtarë kishin marrë vendim që të shprënguleshin për në Turqi, por Azem Nika kishte vendosur të qëndrojë në Kosovë. Dhe, në kohën kur atdhetari Aziz Zhilivoda me grupin e tij doli maleve për ta kundërshtuar regjimin serbokomunist, dhe rrallëkush kishte guximin t’ua hapte derën, Azem Nika u bë pjesë e këtij grupi dhe me mish e më shpirt u vu në shërbim të çështjes kombëtare.

Aty, jo shumë larg hanit, në një gëmushe me ferra, hithra e thanishte, afër shkollës së Dritanit kishte qenë bunkeri i tyre, ku strehoheshin anëtarët e këtij grupi. Azem Nika kishte vepruar aktivisht me këtë grup deri sa ishte arrestuar.

Me datën 5 nëntor të vitit 1953 arrestohet Azem Nika, i cili dërgohet në stacionin e policisë në Qirez, prej aty në Skënderaj, ku dënohet nga Gjykata e Qarkut të Pejës. Sipas Aktgjykimit P. nr 137/53, me datë 07.11.1953 Azem (Daut) Nika u dënua me 9 vjetë burgim të rëndë, si pjesëtar i grupit të Aziz Zhilivodës. Në fakt, atë ditë në Skënderaj ishin dënuar gjithsej 10 anëtarë të grupit të Aziz Zhilivodës, mungonte vetëm udhëheqësi Aziz Zhilivoda, i cili ishte arratisur në Shqipëri. Të dënuarit ishin:

  1. Azem Nika, nga fshati Gllanasellë
    2. Murat Nika, nga fshati Gllanasellë
    3. Bajram Zuka, nga fshati Likoshan
    4. Selim Kastrati – Zuka, nga fshati Likoshan
    5. Ilaz Dervishi, nga fshati Gradicë
    6. Sadik Dervishi, nga fshati Gradicë
    7. Ibish Baliu – Dervishi, nga fshati Gradicë
    8. Fazli (Brahim) Hajdari, nga fshati Dritan (Dobroshec)
    9. Aziz (Halil) Hajdari, nga fshati Dritan (Dobroshec)
    10. Brahim Preniqi, nga fshati Hade

Azem Nika, dënimin e ka vuajtur nëpër burgje të ndryshme të ish-Jugosllavisë. Fillimisht në Burgun e Pejës, mandej në Nish dhe në fund në Burgun e Goli Otokut. Përderisa ishte në burgun e Pejës dhe të Nishit, familjarët kishin mundësi ta vizitonin dhe të komunikonin përmes letrave, por kur u dërgua në burgun famëkeq të Goli Otokut, aty më nuk lejoheshin vizitat dhe asnjë lloj i komunikimit. Në këtë burg edhe u ekzekutua gjyshi im, Azem Nika, dhe eshtrat e tij sot e asaj dite nuk na u kthyen kurrë.

Burgu i Goli Otokut, i njohur si Alkatrazi i Ballkanit, ndodhej në një ujëdhesë gurore në Detin Adriatik, e cila historikisht ka qenë e pabanuar. Goli Otok në gjuhën kroate do të thotë Ishulli i Zhveshur dhe ata pak vegjetacion që ndodhet sot në këtë ishull është mbjellur nga të burgosurit, pasi ishte sjellë një sasi e dheut me anije. Në këtë burg që nga themelimi i tij në vitin 1949 deri në vitin 1956 kanë vuajtur dënimin vetëm të burgosurit politik nga e gjithë ish-Jugosllavia dhe bazuar në statistikat zyrtare në këtë burg në mënyrën më mizore janë vrarë mbi 4,000 të burgosur, në mesin e tyre shumë shqiptarë, përfshirë këtu edhe gjyshin tim. Ky burg është mbyllur në vitin 1988 dhe tani turistët mund t’i vizitojnë gërmadhat e këtij burgu të mallkuar.

Vitin e kaluar, gjatë një fluturimi për në Itali, meqë isha afër dritares së aeroplanit shikoja poshtë ujëdhesat gurore, krejtësisht të bardha të Kroacisë dhe befas më shkoi mendja tek njëri ndër ferret më të mëdha të shqiptarëve Goli Otoku! Aty ku mund të jenë edhe eshtrat e gjyshit tim. Dhe, natyrshëm më lindi pyetja, sa kemi bërë ne si shoqëri dhe si shtet për ata burra të pathyeshëm që u masakruan në atë gurore të mallkuar, ku nuk kishte jetë e shumë jetë mori!

Fare pak, për të mos thënë asgjë! Një Mirënjohje e ndarë nga Komuna e Drenasit për gjyshin tim dhe emërtimi i një rrugë me emrin e tij në vendlindje, në fshatin Gllanasellë nuk mjaftojnë. Gjyshi im dhe të tjerët si ai, meritojnë më shumë. Ata duhet të përkujtohen e të nderohen. Jo me fjalë, por me vepra. Sot, kur shteti i Kosovës është i pavarur dhe ka marrëdhënie të mira me Kroacinë, është i obliguar që të paktën t’i sjellë eshtrat e gjyshit tim në Kosovë, të cilën e deshi aq shumë, saqë sakrifikoi edhe jetën e tij.

Përgjithmonë në zemrën time!

Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!

Autor i tekstit është Nuhi Daut Nika, nipi i Azem Daut Nikës