Ndërkombëtarët kërkojnë debat për periudhën komuniste

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me financim nga qeveria gjermane, ka nisur një projekt për nxitjen e një diskutimi të gjerë publik rreth të shkuarës komuniste në Shqipëri.
Veprimtaritë e projektit do të nisin më një sondazh në shkallë vendi për të matur njohuritë e publikut, perceptimet dhe pritshmëritë e tij për diskutimet rreth të shkuarës komuniste në Shqipëri.

Rezultatet e sondazhit priten të ofrojnë një panoramë të qartë të nivelit të njohurive të segmenteve të ndryshme të shoqërisë rreth të shkuarës, si dhe një thellim drejt shpresave dhe shqetësimeve në trajtimin e trashëgimisë të regjimit të mëparshëm.

Loading...

Gjithashtu, rezultatet e sondazhit do të ofrojnë një bazë të qëndrueshme për nisma të mëvonshme në këtë fushë.

Paralelisht, Prezenca e OSBE-së, në bashkëpunim me organizata të ndryshme të shoqërisë civile, do të organizojë takime nëpër shkolla të mesme dhe në komunitet. Nxënësit dhe qytetarët e tjerë do të diskutojnë mënyrat për të trajtuar të shkuarën, pasi të kenë parë filma dhe dokumentarë me temë shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë regjimit komunist.

Një debat i madh televiziv pritet të organizohet në fund të vitit.

“Gjatë muajve të fundit, ka pasur një vrull të ri për nisma që trajtojnë shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë regjimit të mëparshëm komunist në Shqipëri. Ne po e fillojmë këtë project, sepse besojmë që ka nevojë për dialog kombëtar gjithëpërfshirës rreth qëllimeve dhe pritshmërive të shoqërisë në përgjithësi rreth nismave të ndryshme që janë propozuar për të trajtuar këtë histori të vështirë”, tha kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Raunig.

Ndërsa ambasadori gjerman në Shqipëri, Hellmut Hoffmann, i pranishëm në prezantimin e projektit, tha se ndjehej i lumtur për mbështetjen e ofruar ndaj Prezencës së OSBE-së në Shqipëri “në këtë nismë të rëndësishme”.

“Nga përvoja jonë, ne e dimë se përballja më të shkuarën e vështirë nuk është një detyrë e thjeshtë, por ne dimë gjithashtu se, nëse bëhet në mënyrë të frytshme, kjo mund t’i shërbejë njerëzve dhe shoqërisë në tërësi. Sidoqoftë, çdo rast është i veçantë – prandaj, ndërsa jemi të lumtur që mund të japim mbështetjen tone – u takon vetë shqiptarëve të vendosin saktësisht se si dëshirojnë ta trajtojnë këtë detyrë”, theksoi ambasadori Hoffmann.