Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa uron të gjithë qytetarëve të Kosovës 24 Majin, Ditën e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Kjo datë shënon dhe përkujton 24 majin e vitit 1992, kur u mbajtën zgjedhjet e para presidenciale demokratike në Kosovë, ku qytetarët e Kosovës zgjodhën, për herë të parë, Presidentin e Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën.

Presidenti Historik, dr. Ibrahim Rugova është arkitekti i shtetit modern demokratik të Republikës së Kosovës, i vendosur në rrugën e integrimit euroatlantik dhe përherë në miqësi të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Ibrahim Rugova ishte simbol i unitetit dhe vendosmërisë së paepur të popullit të Kosovës në rrugën drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë.

Nder dhe lavdi të përjetshme jetës dhe veprës së Presidentit Historik dr. Ibrahim Rugova.