Mustafa nuk do t’i largojë ministrat bojkotues serbë

Një muaj pasi kryeministri Isa Mustafa largoi nga Qeveria ministrin serb, Aleksandar Jablanoviq, zyrtarët tjerë të mbetur vazhdojnë të bojkotojnë institucionet e Kosovës.
Me Jablanoviqin, të cilit Mustafa ia tregoi derën më 3 shkurt, janë solidarizuar edhe deputetët serbë të Kuvendit të Kosovës e kryetarët e komunave veriore, shkruan “Koha Ditore”.
Me gjithë mungesën e ministrave në mbledhjet e Qeverisë dhe deputetëve në Kuvend, ata vazhdojnë të marrin paga nga buxheti i Kosovës. E Ekzekutivi nuk ka një afat se deri kur do të presë Listën Serbe që të rikthehet në Qeveri.
I pyetur për afatin që kryeministri mund t’i japë Listës Serbe, zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi, i ka thënë gazetës se Qeveria inkurajon përfshirjen dhe jo përjashtimin.
/Koha Ditore/