Mustafa i kundërpërgjigjet Haradinajt

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj deklaratave të të parit të AAK-së Ramush Haradinaj, i cili për biznese të ligjshme dhe të paligjshme e quajti Mustafën “rrenc ordiner”.
I pari i Qeverisë zgjodhi rrjetin social facebook t’i kundërpërgjigjet Ramush Haradinajt, se nuk është as në nivelin e as në traditën e atyre që përfaqësojnë kulla e trimëri, që të ofendojn. Ndër të tjera në fund të postimit Mustafa shkruan “Më vjen keq nëse duhet që një ditë t’ia kthej me të njëjtën gjuhë ose me një gjuhë edhe më të keqe por gjithsesi argumentuese!”
Ja reagimi i plotë i Isa Mustafës:
Nuk dëshiroj të komunikoj me një gjuhë të degraduar, sepse ne liderët nuk jemi të vetëm. Janë qytetarët, fëmijët, gratë e burrat, vendorët e ndërkombëtarët ata e ato që na përcjellin dhe na vështrojnë. Nuk është në nivelin e as në traditën e atyre që përfaqësojnë kulla e trimëri, që të ofendojnë. Sepse, kurrë këto të dyja nuk kanë shkuar bashkë. Ose ata që ofendojnë duhet të tregojnë se kanë hequr dorë nga tradita e tyre. Kjo vlen edhe për z. Ramush Haradinaj. Ai mund të pretendoj të jetë një lider duke ofenduar, por nuk mund të jetë i respektuar me gjuhën që po e përdorë. Mua më vjen keq. Më vjen keq nëse duhet që një ditë t’ia kthej me të njëjtën gjuhë ose me një gjuhë edhe më të keqe por gjithsesi argumentuese!