Mustafa: Adem Jashari është shembull i sakrificës dhe i përkushtimit për lirinë e vendit tonë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Hashim Thaçi dhe Kujtim Shala, si dhe ministra të tjerë të kabinetit qeveritar, bëri homazhe pranë varrit të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe varrezave të Familjes Jashari në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Skenderajt.
Pas homazheve  kryeministri Mustafa ndër tjera tha:
17 vjet më parë Komandanti i UÇK-së, Adem Jashari dhe Familja Jashari ranë heroikisht në mbrojtje të idesë për liri dhe pavarësi të Kosovës.
Ai është shembulli më i fortë i heroizmit, i sakrificës dhe i përkushtimit për vendin, për lirinë e vendit, për atdhedashurinë dhe për të ardhmen e këtij vendi.
Ne, sot, ia bëjmë nderimin dhe i kujtojmë të gjithë me admirim. Poashtu tregojmë edhe përkushtimin tonë që të punojmë, që ta ndërtojmë këtë vend sipas idesë dhe dëshirës së atyre që u flijuan për liri dhe u flijuan për Kosovën.