Mospajtimet brenda PDK-së shpërfaqin nevojën për reformim

Partia Demokratike e Kosovës ka hapur zyrtarisht fushatën për zgjedhje të brendshme brenda këtij subjekti. Por këto zgjedhje nuk po shkojnë pa mos pajtime në mes të liderëve në degë të ndryshme të PDK-së.

Loading...

Në një prononcim të analistit Donik Sallova për Indeksonline, potencohet që brenda PDK-së janë krijuar grupe të shumta që kanë për qëllim përfitimin nga pushteti.

“PDK-ja ka bërë tashmë një dekade në pushtet dhe si çdo pushtet i gjatë në kohë fillon t’i bjerrë strukturat dhe vlerat në mënyre ciklike. Në PDK tashme janë formësuar grupe të shumta që kanë pasur dhe kanë interesa dhe përfitime nga pushteti, ndaj lufta gjithnjë do te ashpërsohet derisa nuk do te humbet pushteti” ka thënë Sallova.

Sipas tij, PDK-ja do të ketë mundësi të reflektoj dhe të reformohet vetëm nëse del në opozitë dhe të jetë e lirë nga pushteti.

“Vetëm kur të dalë në opozite PDK-ja do ketë mundësi te reflektoje dhe te reformohet vërtete, sepse veten te qenit ne opozite, i lire nga pushteti, te lejon te mendosh si mund të bëhet më mirë pushteti i nesërm” tha Sallova.

Kurse, njëri nga versionet e Sallovës për përçarje në PDK mund të jetë edhe vet Presidenti Hashim Thaçi. Ku theksohet se Thaçi do e dëshironte kulomacionin e PDK-së vetëm kur vet ai të jetë në krye të saj.

“Po ashtu, ka shumë mundësi qe elemente te presidentit Thaçi të jenë të përfshirë në ndonjë skenar eventual përçarjesh, sepse Thaçi dëshiron qe PDK-ja kulminacionin e saj ta ketë vetëm atë kur vete Thaçi ka qene ne krye te saj. Sikurse, Thaçi dëshiron qe elementet e veta me besnike t’i përfshije edhe brenda strukturave te “PDK-se se dekadës se re”, sepse vetëm kështu do ta ruaj influencën e vet ne pushtet, nëse PDK-ja do vazhdoj te qeverise” theksoi analisti Sallova.

Nevojën për reformim e ka shprehur edhe analisti tjetër politik, Ramush Tahiri në një prononcim të tij për Indeksonline. Ai ka thënë se PDK-ja ka nevojë për reformë në mënyrë që të bëhet parti demokratike, siç e ka edhe emrin.

“Partia Demokratike e Kosovës ka nevojë për reformë edhe ka nevojë për me u bë parti demokratike tamam e jo me mbet parti liberiste” është shprehur Tahiri.

Sipas tij, si pasojë e qeverisjes së PDK-së që ka tash po shprehen edhe përçarjet në mes të liderëve në qendra të ndryshme të PDK-së në Kosovë.

“Por pas zgjedhjeve brenda partisë ku caktohen liderët lokal do të shihet a vazhdon inati apo arrihet pajtim edhe a integrohen në struktura. Në disa pjesë normalisht që integrohen në struktura edhe marrin vende të caktuara edhe që kanë hup edhe që kanë fituar por në shumicën e rasteve përçarja do të vazhdojnë.” ka përfunduar Tahiri.

Ndryshe, vet Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në hapjen e procesit zgjedhor partiak në degët e Gjilanit, Kamenicës, Vitisë, Hanit të Elezit, Istogut dhe Hasit pati thënë se në këto zgjedhje nuk garohet për të mundur dikë, por për të fuqizuar strukturën e PDK-së.

“Zgjedhjet në PDK janë më transparentet dhe në këto zgjedhje nuk garohet për ta mundur dikë por për ta fuqizuar strukturën, për t’u dhënë hapësirë njerëzve të rinj, intelektualëve dhe profileve të ndryshme që dëshirojnë të japin kontributin e tyre nëpërmjet PDK-së, për ta zhvilluar dhe fuqizuar Kosovën në Dekadën e Re” citohet të ketë thënë Veseli./Indeksonline/