Mosmarrëveshje e familjes nga Drenica dhe hoxhës që u raportuan për haraç

Policia e Kosovës për rajonin e Gjilanit ka konfirmuar se ka arrestuar personin e dyshuar i cili kërcënoi përmes mesazheve profesorin e shkencave islame, Mustafa Bajramin.

Loading...

Zëdhënësi i PK-së për këtë rajon, Ismet Hashani ka thënë se i dyshuari është shtetas i Kosovës, banor i Komunës së Drenasit.

“Rreth orës 19:00 Policia e Kosovës e ka lokalizuar të dyshuarin shtetas i Kosovës, banorë i Komunës së Drenasit, i cili dyshohet që të jetë autori i kërcënimeve përmes telefonit dhe i njëjti është sjellë në stacionin policor në Gjilan dhe është intervistuar në prani të avokatit”, ka thënë Hashani për Indeksonline.

Gjersa ai ka shtuar se me vendim të prokurorit të shtetit i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndryshe, teologu Bajrami përmes një shkrimi në rrjete sociale kishte thënë se është dashur ndërhyrja e një personi tjetër (ndërmjetësues) që çmimi i haraçit të bie.

“Ose 35000 euro, ose koka. Ky ishte ultimatumi i deridjeshëm. Pas ndërhyrjes së një fytyre shumë e njohur publike në Kosovë (jo fytyrë politike), çmimi ka ra, por, sipas ndërmjetësuesit, gjithqysh diçka duhet paguar.

I them botërisht zotëriut dhe zotërinjëve të involvuar. Nuk ka forcë në këtë botë që mund të më detyrojë të bëjë diçka jashta vullnetit tim. Siç i kam quar selam mbrëmë edhe sot nga këtu i them; Pushka top iu bëftë se unë nuk frikohem. Kurrë dhe në asnjë mënyrë asnjë cent s’ka për ta marrë”, kishte shkruar Bajrami.

Lidhur me njoftimin e Bajramit,nga burime brenda Policisë së Kosovës se rasti ka natyrë familjare dhe jo biznesore.

Bëhet fjalë për ndarjen e dy të rinjve, konkretisht për ndarjen e djalit të Bajramit me vajzën e një familjeje që jeton në Gjermani.

“Ata janë personazhet kryesore të rastit. Krejt kjo ka ndodhur për shkak të prishjes së një martese. Pra një problem familjar që ka ndodhur në Gjermani, pastaj si rrjedhojë zënkat janë bartur edhe në Kosovë. Personi që është ndarë është djali i të kërcënuarit”, kanë thënë burime të portalit brenda Policisë.

Rasti përngjan më shumë mosmarrëveshje që rregullohen përmes zakone kanunore, kur të dëmtuarit e një shkëputjeje martesore kërkojnë dëmshpërblim nga personi që kërkon divorcin.