Molliqaj: Hipokrizia e Albin Kurtit – Cakajn e kishte lutur të kthehej në VV, Metën e akuzonte për vrasje të protesuesve

 

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka reaguar ndaj qëndrimit të Lëvizjes Vetëvendosje për mosdekretimin e Gent Cakajt nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Molliqaj është shprehur se VV-ja është duke shpifur dhe gënjyer në mënyrën më të ulët për Gent Cakajn.

“Gent Cakaj është anëtarësuar në VV në qershor të vitit 2006 dhe është larguar në mars të vitit 2008. Ai ishte larguar sepse nuk ishte dakord me qëndrimet e VV për Planin e Ahtisaarit. Sot VV po e mbron me fanatizëm Planin e Ahtisaarit”, shkruan Molliqaj në rrjetin social Facebook.

Molliqaj ia ka përkujtuar Albin Kurtit kohën kur e ka akuzuar Ilir Metën për vrasjen e protestuesve të 21 janarit dhe për krim e korrupsion në Shqipëri.

 

Postimi i plotë i tij:

 

“Ilir Meta qenka i mirë. Edhe pse Albin Kurti e VV, e kanë akuzuar për vrasjen e protestuesve të 21 janarit.

Ilir Meta qenka i mirë. Edhe pse Albin Kurti e VV e patën akuzuar për krim e korrupsion në Shqipëri.

Kurse Gent Cakaj qenka i keq. Edhe pse Albin Kurti e pat lutur që të kthehet në VV, në një takim në vitin 2014.

Gent Cakaj është anëtarësuar në VV në qershor të vitit 2006 dhe është larguar në mars të vitit 2008. Ai ishte larguar sepse nuk ishte dakord me qëndrimet e VV për Planin e Ahtisaarit. Sot VV po e mbron me fanatizëm Planin e Ahtisaarit, kurse po shpif e gënjen në mënyrën më të ulët për Gent Cakajn.

Pse e ftoi Albini që të kthehet në VV, nëse ky paska qenë spiun, e i porositur?!

Apo fjala është thjeshtë për hipokrizinë e vazhdueshme të stilit “kush është me mua është i mirë” (madje edhe nëse ai është Ilir Meta apo Isa Mustafa), e “kush nuk është me mua është i keq” (edhe nëse ai është Edi Rama – të cilin më herët e kishte ngritur në qiell)”.