“Modus Kosova”, synon punësimin e 100 punëtorëve

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka pritur sot pronarin e Fabrikës së mobileve dhe përpunimit të drurit “Modus Kosova”, Zekirja Seker nga Antalia e Turqisë, i cili ka hapur fabrikën në Mitrovicë në korrik të vitit të kaluar, ndërkaq tani planifikon zgjerimin e kapaciteteve që do të rezultoi edhe në  punësimin e të rinjve.
Pronari,  Zekirja Seker, prezantoj planin e tij për ndërtimin e një objekti të ri të fabrikës, që mendohet të shtrihet në hapësirën prej 50 ari, me ç’rast kërkoj nga komuna dhënie të tokës në shfrytëzim për këtë qëllim.
“Do të vazhdojmë të prodhojmë pjesë të mobileve, garnitura , tavolina dhe këmbë të tavolinave dhe karrigeve, që të gjitha për eksport në Turqi. Synojmë ndërtimin e një objekti të ri për zgjerimin e kapaciteteve të prodhimit, ku planifikojmë të punësojmë edhe 100 të rinjë”, tha Seker.
Kryetari Bahtiri, tha se “Jemi të hapur për të mbështetur investimet në komunën tonë, posaçërisht kapaciteteve që gjenerojnë vende të reja pune. Do shqyrtohet kërkesa për lokacion dhe dhënie me qira të tokës, dhe më pas Kuvendi i Komunës është ai që vendos për këtë”.
Pas takimit, kryetari Bahtiri, i shoqëruar nga nënkryetari për komunitete, Eroll Zekirja dhe pronari fabrikës, ka vizituar fabrikën ”Modus Kosova”, duke parë nga  afër punët që bëhen aty.
Sipas pronarit, fabrika e re që planifikohet të ndërtohet, të gjitha prodhimet do t’i eksportoi jashtë vendit, ndërkaq do të prodhoj edhe material për djegie nga mbetja e përpunimit të drurit dhe tallashit.
Ndryshe, “Modus Kosova”, ka ardhur  si investim në vendin tonë, pas Konferencës Ndërkombëtare të Investitorëve, të mbajtur në Mitrovicë, organizuar nga  kryetari Bahtiri.