MKRS shënon Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit.

Loading...

Në shënimin e kësaj dite, ministri Kujtim Gashi, falënderoi të gjithë të pranishmit për punën e tyre vullnetare dhe tha se shteti i Kosovës po e njeh dhe e vlerëson punën vullnetare dhe po mundohet që ta shpërblej atë. “Një rol të rëndësishëm në këtë proces ka luajt UNICEF-i duke na ndihmuar në vazhdimësi në krijimin e platformës ku administrohet nga MKRS-ja”, tha ai.

Ministri po ashtu foli rreth udhëzimit administrativ për punë vullnetare duke thënë se “Ministria në mbështetje për ligjin e fuqizimit për pjesëmarrje të rinisë ka hartuar udhëzimin administrativ për punë vullnetare dhe përmes kësaj kemi dëshmuar se po bëjmë një punë të mirë sepse për herë të parë po rregullojmë një kontribut, një angazhim, një përpjekje tuajën të vazhdueshme për të ndihmuar komunitetin ku jetoni dhe të rinjtë e Kosovës”.

Ai po ashtu tha se Kosova është njëra nga shtetet më aktive në përkrahjen institucionale për punëtorin vullnetar rinor dhe njoftoi se sot do të zgjidhet vullnetari i vitit. “Për herë të parë po shpallim vullnetarin e vitit dhe të gjitha përpjekjet tona shkojnë që puna juaj të njihet edhe si përvojë në punë”, theksoi ministri Gashi.

I pranishëm në këtë ceremoni, ishte edhe shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Jemes Mugaju, i cili tha se “në Kosovë vullnetarët po ndihmojnë që të promovohet dhe rritet gjithëpërfshirja në shoqëri nëpërmjet aksioneve në komunitet të cilat e krijojnë një mjedis pozitiv.

Po ashtu, Mugaju foli edhe rreth themelimit të platformës kosovare të vullnetarëve.

“Ne kemi punuar bashkë për të themeluar platformën kosovare të vullnetarëve, kjo platformë është arritje e madhe e ministrit Gashi që e ka bërë në bashkëpunim me UNICEF-in”. Sot e dimë se ministri Gashi dhe UNICEF-i janë në dispozicion të japin aplikacionin mobil sepse kjo do të lehtësoj të arrijnë më shumë të rinj dhe vullnetarë”, tha ai.

Mugaju gjithashtu theksoi se platforma për vullnetarët është krijuar si urë në mes shkollës dhe punës.

Në fund, ministri Gashi dhe shefi i Zyrës Mugaju dhanë mirënjohje për 5 vullnetarët dhe dy për vullnetarët të vitit. Vullnetarët që morën mirënjohje janë: Gresa Kurtishaj, Adea Baca, Drita Dibrani, Fatlinda Veseli dhe Driera Shala. Ndërsa, vullnetarët e vitit u zgjodhën Donika Veseli, Tringa Mustafa.