Mjekët sot protestojnë në QKUK

Mjekët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) do të protestojnë sot për të kërkuar zbatimin e kontratës kolektive, rritjen e pagave prej 25 për qind sipas vendimit të Qeverisë, si dhe lirimin e hapësirave të QKUK-së nga institucionet shëndetësore private. Kryetari i Organizatës Sindikale të Shëndetësisë, Xhemajl Selmani, ka thënë në një konferencë për media se janë të detyruar të protestojnë pasi që nuk u ka mbetur rrugë tjetër për zbatimin e kërkesave të tyre. Sipas Selmanit, kërkesat që po i bëjnë janë kërkesa legjitime pasi pushtetarët e tanishëm dhe ata të kaluar kanë marrë vendime për diçka të tillë, si dhe kanë lidhë kontratë me votuesit me premtimet elektorale që i kanë bërë. “Autonomia territoriale e QKUK-së, gjegjësisht kthimi i objekteve ose sistemit shëndetësor publik në raport me sistemin shëndetësor privat, çështje tjetër me rëndësi është implementimi i kontratës kolektive për të cilën e kem alarmuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë por edhe gjithë shoqërinë dhe si çështje tjetër me rëndësi është ngritja e pagave prej 25 për qind nga premtimi elektoral i kaluar i cili premtim është premtim publik gjegjësisht kontratë publike me popullin sepse kanë premtuar para publikut fytyra publike që sot e kanë pushtetin dhe ky premtim publik i obligon sepse është kontrast publike me votuesin”, ka theksuar ai. Ndërkohë, kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla, ka thënë se kërkesat që sindikata po i bënë nuk janë kërkesa për interesa personale por janë kërkesa në të mirë të të gjithë stafit mjekësor dhe për të mirën e shëndetësisë në vend. Sindikalistët kanë thënë se nëse as pas kësaj proteste nuk reagojnë institucionet qendrore, mjekët do të vazhdojnë me protesta në të gjithë vendin.