Mitrovicë, policia identifikon 175 vetura pa dokumente përkatëse

 

Loading...

Plani operativ “Pasat 2015” ka identifikuar 175 vetura të çmontuara për shitje pa dokumente përkatëse, të dyshuara për shmangie doganore, bëtë të ditur Policia e Kosovës.

Si rezultat i përpunimit të informatave në fushën e parandalimit të veprimtarive kriminale, njësia rajonale e auto-krimeve, në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë në dy ditët e fundit ka realizuar planin operativ të koduar “Pasat 2015’’. Ky plan operativ është zbatuar përmes kontrollit në disa lokacione të ndryshme, ku kryesisht ushtrohet veprimtari e shitblerjes së automjeteve dhe pjesëve të tyre.
Ky kontroll i lokacioneve ka rezultuar me identifikimin e 175 veturave të çmontuara, dokumentacioni i të cilave nuk figuron në sistemin e rregullt të obligimeve doganore.
Të gjitha këto vetura të identifikuara dyshohet të jenë importuar nga shtetet evropiane, po ashtu dyshohen për shmangie të obligimeve doganore.
I gjithë dokumentacioni i këtyre veturave të hasura tek personat në posedim u është dorëzuar autoriteteve doganore për procedurë të mëtejme.
Ndërsa hetuesit policorë me autorizim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë do të vazhdojnë hetimet drejt verifikimit të prejardhjes së këtyre veturave, statusi i tyre, shtetet prej nga kanë ardhur, verifikim ky që do bëhet si në nivel lokal edhe në atë ndërkombëtar përmes ILECU- t në Prishtinë.