Mitrovicasit i dalin në ndihmë 102 vjeçarit që rrit 6 jetimë, nisin t’i ndërtojnë shtëpi

Sadri Xhafa jeton së bashku me 6 jetimë dhe gruan e djalit që i ka vdekur kohë më parë. Mirëpo, jeta e tij dhe anëtarëve të familjes, s’mund të quhet edhe aq e tillë, pasi jetojnë në një kasolle njëdhomëshe e cila rrezikon të shembet.

Loading...

Ata jetojnë vetëm me asistencë sociale, ndërkohë që para disa ditësh për ta u dërguan edhe disa pako ndihma nga qytetarët.

Por ndihma e mitrovicasve nuk u ndal këtu. Pronari i rrjetit të ëmbëltoreve ‘Missini Sweets’ Lindrit Misini së bashku me një grup që quhen ‘Djemtë e Mitrovicës’, kanë vizituar Sadriun 102 vjeç, nga ku edhe kanë kumtuar lajmin se ka nisur ndërtimi i shtëpisë që dedikohet për ta.

‘Sot me #djemtemitrovicës ishim në Bare te Baca Sadri 103 vjeqar i cili me 6 jetima banon në këtë kasolle.Në këtë ditë feste i treguam se ndertimi i shtëpis fillon me 17.02.2018’, ka shkruar ai.

Duhet theksuar se ky nuk është rasti i vetëm që ky grup u ka dalë në ndihmë. Janë dhjetëra shtëpi që janë ndërtuar dhe shumë ndihma të tjera për familjet në nevojë që janë dhënë nga ky grup.

Sido që të jetë, Komuna e Mitrovicës nuk ka bërë shumë për të varfërit e kësaj komune. Ani pse Agim Bahtiri kishte përmendur ndërtimin e disa shtëpive për të varfërit në kohën e fushatës, kjo gjë nuk ka ndodhur akoma./gazetametro.net