Ministri i Arsimit vuri gurthemelin edhe të një Shkolle të Mesme Profesionale

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka qëndruar sot në qytetin e Ferizajt, ku ka vizituar Qendrën e Kompetencës në këtë komunë dhe ka vënë gurthemelin e Shkollës së Mesme Profesionale së bashku me kryetarin e Komunës, Agim Aliu, me të cilin edhe ka pasur një takim ku ka biseduar për bashkëpunimin në fushën e arsimit.

Loading...

Me këtë rast, ministri Bytyqi shprehu kënaqësinë për punën që po bëhet në përgatitjen e nxënësve për tregun e punës në Qendrën e Kompetencës, e po ashtu edhe për vënien e gurëthemelit të shkollës profesionale, për të theksuar më pas rëndësinë që ka arsimi dhe aftësimi profesional në të ardhmen e të rinjve tanë dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Sa i përket Qendrës së Kompetencës, Ministri e vlerësoi si një shkollë model, ndërsa uroi qytetarët e Ferizajt për fillimin e ndërtimit të shkollës së re, për të cilën tha se do t’iu krijojë mundësi nxënësve që në kushte shumë më të mira të marrin kompetencën dhe dijen e nevojshme.

“Ne jemi zotuar edhe si Ministri, por besoj edhe pushteti lokal që të angazhohemi që të rinjve tanë t’ju sigurojmë jo vetëm një edukim të mirë, por edhe një orientim të drejtë për të ardhmen e tyre”, tha ministri Bytyqi dhe vlerësoi se shkollat profesionale janë një orientim i mirë dhe i drejtë dhe theksoi se kjo është edhe arsyeja pse MAShT e ka vendosur si prioritet arsimin profesional, pra zhvillimin e shkollave profesionale, ndërtimin e tyre, si dhe bashkëpunimin me pushtetin lokal dhe bizneset.

Ministri Bytyqi shprehu gatishmërinë që gjithmonë të jenë afër dhe të ndihmojnë komunën e Ferizajt jo vetëm me projekte të tilla, por edhe në forma të tjera që do të kontribuonin në ngritjen e cilësisë në arsim.

Kjo vizitë e ministrit Bytyqi në Ferizaj është bërë në vazhdën e vizitave që po u bënë komunave, respektivisht shkollave të Kosovës, për të bashkërenduar aktivitetet dhe për të fuqizuar bashkëpunimin për ndryshim të gjendjes në arsim.