Ministri i Arsimit në dëgjimin publik me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në dëgjimin publik me rastin e 20 Nëntorit – Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve.

Loading...

Në këtë takim kanë raportuar ministri i Arsimit, i Shëndetësisë, i Punës dhe Mirëqenies Sociale, i Punëve të Brendshme, i Drejtësisë, si dhe Zyra për Qeverisje të Mirë e Kryeministrit dhe Zyra ligjore e Kryeministrit.

Ndërsa, në dëgjim kanë marrë pjesë edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe vendore që merren me të drejtat e fëmijëve dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, si dhe përfaqësues të grupit të fëmijëve RoR.

Ministri Bytyqi, pasi që ua uroi fëmijëve këtë ditë të veçantë, vlerësoi fatin se sot janë së bashku të gjithë akterët, pasi që tha se, vetëm angazhimi i të gjithëve së bashku mund të na dërgojë drejt synimit për të përgatitur një ambient të përshtatshëm për edukimin e fëmijëve tanë.

Ministri Bytyqi foli për dokumentet që MAShT ka qenë e obliguar t’i përgatisë, por tha se ka përgatitur edhe shumë dokumente të tjera që janë të nevojshme për të ndërtuar politika për sistemin arsimor në Kosovë.

Ministri Bytyqi theksoi se si Ministri është bërë hapi i parë që të krijohen kushte të barabarta për të gjithë fëmijët pa dallim, po tha se në këtë drejtim ka edhe vështirësi.

Duke folur për zhvillimin në fëmijërinë e hershme, Ministri theksoi se janë krijuar dokumente dhe politika të qëndrueshme dhe janë në fazën e hartimit disa të tjera, megjithatë, ai përmendi përfshirjen e ulët të kësaj moshe në institucione edukative dhe si sfidë, ndër të tjera, përmendi mungesën e infrastrukturës. Por, Ministri theksoi se bashkë me partnerët po shikohen mundësitë për një tjetër çasje në këtë drejtim.

Ndërsa, sa i përket arsimit të obligueshëm, ministri Bytyqi tha se MAShT ka arritur të identifikojë problemet, por theksoi se ka shumë punë për të lëvizur gjërat përpara.

“Nëse nuk do të jemi të përfshirë të gjithë, edhe partitë politike, për të krjiuar politika të mira dhe ambient të mirë, por që mos të ndikojë pastaj politika në shkolla, atëherë do t’ia arrijmë të realizojmë objektivat që i kemi”, theksoi ministri Bytyqi dhe përmendi strategjitë dhe dokumentet e ndryshme që ka hartuar Ministria për të përmirësuar gjendjen.

Duke folur për përmirësimin e infrastrukturës shkollore, ministri përmendi faktin se tashmë është bërë një analizë dhe duhet një buxhet shumë i madh, mbi 300 milion euro, për të pasur infrastrukturë të mirë shkollore në tërë territorin e Kosovës.

Ndërsa, ministri foli edhe për kurrikulat dhe tekstet e reja shkollore, për të cilat premtoi se nxënësit do t’i kenë gjatë vitit të ri shkollor.

Ministri u zotua se do të punohet vazhdimisht me të gjithë akterët për të krijuar ambiente të mira dhe për t’iu ofruar fëmijëve dhe të rinjve tanë arsim sa më cilësor.