Vlora Konushevci

Shkruan Vlora Konushevci

Mi hiqni organet, unë jam njeri i mirë,
vakt i keq asht me kanë njeri i mirë,
mure të dekorume me gardhe të gjalla
me ta zanë ma pak frymën
aty këtu ndonji tulipan, nana i ka dashtë fort
po shkojnë tu u rrallu bashkë me njerëzillëkun.

E afroj veshin tek kaçepi i bilbilit
as këndon as kafshon.
Heshtja asht murtaja e k’tij shekulli.

Mi hiqni organet, unë jam njeri i mirë,
i paguaj taksat, voziti me kujdes,
ndërroj poqet elektrike, siguresat
dheun për lule e bajë n’shpinë
nuk ha brumë, martohem, organizoj mbledhi,
dha dashni, lumtuni edhe dhimbje koke,
sakrifica më bahet natyrë e parë, bahem nanë,
i shtyej andrrat për ditë ma të lira,
prioritetet radhiten prej pelenave deri tek ditëlindjet.
Goditjet e depresionit postnatal
s’duhet me i ushqy, duhet me shujt.
Nji ditë heshtja ka me na metë n’fytë!

Mi hiqni organet, unë jam njeri i mirë,
nuk blej produkte të Sërbisë,
lexoj gazetat, hulumtimet, çliroj dhambët e pjekunisë,
e bëjë pap testin, përkundi ardhmëninë.
Divorcohem, luaj loto veç për inati t’zarit,
vazhdoj studimet, ma pak i kuptoj trendet e reja n’muzikë
vrapoj,
andrroj,
andrroj nji ditë me u marr me kopshtari
me mësu frengjishten
me e zhbi heshtjen
me folë!
Andrroj edhe
mos me m’piku bojleri!