Presidenti Meta i është përgjigjur pyetjeve të deputetit të opozitës së re, Halit Valteri se ku e ka bazuar vendimmarrjen e tij për të anuluar dekretin e tij për datën e zgjedhjeve.

Ai kujtoi se ndryshimi i datave të zgjedhjeve është bërë edhe më parë nga dy ish-presidentë të Shqipërisë.

Presidenti nxori edhe një foto të vitit 1990 nga takimi i studentëve me liderin komunist, Ramiz Alia, ku vetë ai ka qenë i pranishëm.

Meta tha se edhe Ramiz Alia i ka shtyrë zgjedhjet kur ka qenë e nevojshme dhe se nuk mund t’i kërkohej një studenti të dhjetorit që të kthehej 30 vite pas me zgjedhjet me një kandidat në 30 qershor.

“Është e tepërt që ti kërkosh një studenti të dhjetorit që të krijosh precedent të ri, të zgjedhjeve pa kandidat”, u shpreh Meta.

Meta u shpreh se vendimi për shtryrjen e zgjedhjeve është marrë për të garantuar sigurinë e qytetarëve shqiptarë, si dhe për të mos iu mohuar shqiptarëve të drejtën  për të pasur zgjedhje pluraliste.

“Janë dy President të Republikës që kanë vepruar në mënyrë të tillë për të çtensionuar situatë dhe për të garantuar pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje. Ka dhe deputetë me eksperiencë që mund t’ua shpjegojnë. Precedentin e parë e ka bërë Ramiz Alia në vitin 1991, ku i dha mundësi opozitës së sapo krijuar dhe që i jepte mundësi të merrte pjesë në zgjedhjet për rrëzimin e tij.

Ne i kërkuam Ramiz Alisë pluralizimin politik, por ai e pranoi dhe me dekretin e shtyrjes së zgjedhjeve, tregoi se të gjithë duhet të viheshim në shërbim të pluralizmit demokrat njëherë e përgjithshmen.

Kjo është e tepërt, përveç argumentave ligjor dhe konventave, t’i kërkosh një ish-studenti të dhjetorit të heshtë pas 30 vjetësh, të hesht dhe të kthehet në votime me një kandidat si njëherë e një kohë”, ka thënë Meta.

11.11-Meta: Vendimi për shfuqizimin e 30 qershorit nuk ka lidhje me mosregjistrimin e opozitës

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta po iu përgjigjet pyetjeve së deputetëve të Komisionit Hetimor Parlamentar, ku një ndër pyetjet është nëse ai ka vendosur për shtyrjen e zgjedhjeve vendore për shkak se opozita nuk ishte regjistruar.

Meta tha se kjo nuk ka qenë arsyeja se pse ai vendosi të shfuqizoi dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor dhe vendosjen e 13 tetorit si datë për zhvillimin e zgjedhjeve. Ai theksoi se në kohën kur opozita ka njoftuar daljen nga Parlamenti ndodhej në një vizitë në Berlin dhe se nuk e ka mbështetur këtë vendim.

Presidenti gjithashtu foli për përpjekjet e tij për të ulur në një tryezë dialogu opozitën dhe mazhorancën para se të shfuqizonte datën e zgjedhjeve.

Ai theksoi se kjo gjë nuk u bë e mundur për shkak të kokëfortësisë së kryeministrit dhe kreut të PD.

“Kokëfortësia e kryeministrit për të mos shtyrë 30 qershorin dhe e dyta, kokëfortësia e kryetarit të PD për të mos ulur në tryezë me Ramën kryeministër,”-tha presidenti.

“Ishte një situatë e çmendur ku asnjë prej palëve nuk mbante përgjegjësi”, tha Meta, duke shtuar se ishte detyra e tij si president për të shmangur një konflikt.

Meta gjithashtu quajti të papërgjegjshëm krerët e opozitës për shkak të deklaratave të tyre.

“Nuk mund të thuash se nuk mbajmë përgjegjësi për sjelljen e protestuesve dhe se protesta është në dorë të tyre. Çdo kryetar partie mban përgjegjësi për protestuesit që ka thirrur në shesh”-tha presidenti i Republikës.

10.49-Meta: Më 8 qershor do të digjej Kuvendi, ishte informacion sekret dhe i kualifikuar

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka thënë se ka pasur informacione nga institucionet e sigurisë se më 8 qershor kishte përpjekje për të organizuar akte destabilizimi në vend.

Kujtojmë se pak orë para nisjes së protestës, Meta njoftoi shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale, çka bëri që opozita e bashkuar të anuloj protestën dhe të ulte tensionet mes protestuesve dhe policisë.

Meta tha se një informacion sekret dhe i klasifikuar bënte me dije se persona të caktuar do të shfrytëzonin protestën e 8 qershorit për të djegur Kuvendin e Shqipërisë.

“Sigurisht, ky ishte një informacion i ri në këtë drejtim, por i besueshëm”, tha presidenti.

10.24-Presidenti Meta flet para Komisionit: Kuvendi e ka bërë gjykimin para nisjes së hetimit (Foto)

I thirrur nga Komisioni Hetimor Parlamentar për të dëshmuar për shfuqizimin e datës 30 qershorit dhe dekretimin e 13 tetorit si datë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore, presidenti Meta ka pranuar të flasë dhe të shpjegoj vendimet e tij.

Ai tha se e shikon si detyrim që të flasë në lidhje me vendimet e marra dhe se nuk ka shkelur asnjë pikë të Kushtetutës, dhe se është aty për të respektuar institucionet.

Sipas Metës, kreu i shtetit duhet të japë shembullin e bashkëpunimit, e ka theksuar se të gjitha ankesat e tij për dekretet e zgjedhjeve janë bërë publike.

Presidenti gjithashtu tha se Kuvendi i Shqipërisë e ka bërë gjykimin e tij para se të nisë hetimi nga ky komision.

“Gjykova tepër të arsyeshme dhe të domosdoshme që të jem këtu, sepse kam bindje të plotë që çdo politikan, aq më tepër kryetari i shtetit duhet të tregojë respekt ndaj institucioneve dhe të japë shembullin e bashkëpunimit por së dyti e jam i bindur që pavarësisht se Kuvendi e ka bërë gjykimin para e të nisë hetimin, përmes rezolutës, në interes edhe të transparencës edhe të ndriçimit të çështjeve që kanë të bëjnë me vendimmarrjen për të dhënë të dhëna të tjera që mendoj se u shërbejnë të gjithëve për tu qartësuar më shumë”- tha Meta