Messenger i Facebook-ut sfidon Snapchat-in

“Facebook” ka publikuar mjete të reja të realitetit të shtuar për aplikacionin “Messenger”, të cilat kompania i quan “World Effects”. Përdoruesit mund të shtojnë objekte 3D duke përdorur kamerën.

Teknologjia është e ndërtuar mbi platformën në funksion të realitetit të shtuar të “Facebook”, ku përdoruesit mund të shtonin filtra dhe maska në një foto selfie. Elementët e parë të “World Effects” janë një zemër pluskuese, një shigjetë, një robot, një unikorn 3-dimensional dhe flluska me mesazhe dashurie.

Pas kësaj lëvizje qëndron përpjekja e “Facebook” për të tërhequr audiencën e “Snapchat”. Ky i fundit ofron një produkt të ngjashëm që nga muaji prill, të cilin e quan “World Lenses”.

Në konferencën F8 të zhvilluesve, mbajtur tetë muaj më parë, “Facebook” prezantoi për herë të parë platformën e realitetit të shtuar. Kompania shpalosi atje vizionin për një botë me objekte 3D që na rrethojnë, të cilat mund të identifikohen në kohë reale nga kamera e një telefoni.

Gara nuk është e gjitha mes “Facebook” dhe “Snapchat”, por edhe mes “Facebook”, “Apple” dhe “Google”, kompani të cilat ofrojnë gjithashtu platformat vetjake të realitetit të shtuar, sipas “PC world”. /ATSH