Merkel mbron sërish marrëveshjen me Turqinë për refugjatët

Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel dhe Presidenti i Francës François Hollande u takuan në Itali për biseduar mbi Brexit, vendimin e Britanisë së Madhe për të dalë nga Bashkimi Evropian (BE), për sigurinë dhe krizën e refugjatëve dhe rritjen ekonomike.

Loading...

Të tre liderët mbajtën një konferencë të përbashkët shtypi në bordin e aeroplanmbajtëses “Garibaldi” të flotës italiane.

Në vlerësimin që i bëri vendimit të Anglisë për të dalë nga Unioni (BE) shefi italian i qeverisë, Matteo Renzi, kritikoi qasjet sikur “Evropa kishte përfunduar pas Brexit”.

Renzi tha se e respektojnë vendimin e votuesit anglez dhe duan të shkruajnë një faqe të re për të ardhmen e BE-së.

Në lidhje me krizën e refugjatëve, Renzi theksoi se Evropa është e detyruar të shpëtojë ata që rrezikojnë jetën e tyre në Mesdhe.

“Duhet ndihmuar cilido që ka nevojë”, u shpreh Renzi.

Ndërsa kancelarja gjermane Merkel në fjalën e saj mbrojti marrëveshjen e arritur me Turqinë (në mars 2016) për parandalimin e valës së refugjatëve.

Roja bregdetare nuk është në gjendje të kontrollojë e vetme kufijtë detarë. Bashkëpunimi që kemi me Turqinë për emigrantët është një veprim i drejtë. Në rast të kundërt nuk mund ta fitojmë luftën kundër trafikantëve të qenieve njerëzore”, tha Merkel.

Kurse ndaj kërkesave të Italisë dhe Francës për fleksibilitet në politikat e BE-së pro-rritjes ekonomike, kërkesa që sillen shpesh në rend të ditës nga këto dy vende, Merkel nuk u shpreh shumë pozitive.

Angela Merkel tha se duhet që Evropa t’ua garantojë jetën të rinjve, por edhe të rinjtë evropianë duhet ti bartin në botë përvojat dhe dijet e Evropës.

Kurse Presidenti i Francës, François Hollande nga ana e tij foli për sigurinë e kufijve të Evropës dhe krizën e emigrantëve.

Hollande përcolli shpresën e një bashkëpunimi të gjithanshëm kundër terrorit brenda hapësirës së Shengenit, ndërsa vuri në dukje nevojën për burime ekstra për të pasur një bashkëpunim efektiv dhe të mirë në fushën e mbrojtjes. Presidenti francez tha se Evropa duhet të plotësojë nevojat e qytetarëve të saj për mbrojtje.

Hollande tërhoqi vëmendjen edhe në tragjedinë që po jeton qyteti Halep i Sirisë. “Në qoftë se nuk arrijmë të bëjmë dot gjë, atëherë drama në Halep do të jetë turpi i të gjithë shoqërisë ndërkombëtare”, cilësoi Hollande.

Presidenti Hollande tha se largimi i Anglisë nga Unioni ka shkaktuar një paqartësi në ekonomi dhe vuri në dukje nevojën e përpjekjeve që do të eliminonin këtë atmosferë pasigurie.

Tre krerët përpiqen të gjejnë mënyrën për të rinisur Bashkimin Evropian pas tronditjes, që erdhi nga rezultati i referendumit të 23 qershorit në favor të daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. /trt/