Kontrata e rëndë e Telekomit me Z-Mobile ka arritur në fundin e saj. Pas një muaji, kompania publike e ka mundësinë që të çlirohet nga barra e kompanisë së Devollit, megjithatë ajo edhe mund të vazhdojë. Telekomi ka marrë tri raporte të ekspertëve, të cilat sugjerojnë ndërprerje të menjëhershme të kësaj kontrate, që konsiderohet si shumë e dëmshme. Express ju sjell njoftimin e shefit të Telekomit në adresë të Devollit.

Albioneta Ademi

Shefi i Telekomit, Bedri Istrefi, i ka dorëzuar letër kompanisë së Blerim Devollit, me anë të së cilës e njofton se kontrata 10-vjecare mes tyre skadon më 30 korrik të këtij viti.

Në njoftimin që e ka siguruar Gazeta Express, thuhet se kontrata skadon pas një muaji, por që Telekomi i lë hapësirë Z-Mobile’it për negocim rreth mundësisë së vazhdimit të kontratës.

Megjithatë aty përmendet Raporti i Ekspertizës Ndërkombëtare që i ka shkuar Telekomit, e që e thotë qartë se marrëveshje mes kompanisë publike – shumë profitabile dhe Z-Mobile’it – e nënshkruar 10 vjet më parë është e dëmshme për Telekomin.

“Sipas Raportit të Ekspertizës Ndërkombëtare të Siguruar nga Telekomi i Kosovës, kriteret komerciale dge teknike sipas Marrëveshjes Aktuale, janë në disfavor për Telekomin të cilat, objektivisht e pamundësojnë vazhdimin e marrëveshjes aktuale dhe kërkojnë marrëveshje të re eventuale, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare në Industrinë e Telekomunikacionit”, shkruhet në letrën e shefit të Telekomit.

Burimet e Gazetës Express tregojnë se Telekomi, përveç raportit ndërkombëtar, ka marrë edhe dy sugjerime për ndërprerjen e menjëhershme të kontratës me operatorin privat.

Megjithatë, Telekomi, sipas kësaj letre, nuk i mbyll të gjitha dyert për kompaninë Z-Mobile, e cila nga kontrata e nënshkruar në vitin 2009, si MVNO ka marrë 73 për të fitimit, ndërsa Telekomi si MNO, ka marrë vetëm 27 për qind të fitimeve. Nga ana tjetër Z-Mobile është zhvilluar nën infrastrukturën e kompanisë publike.

Dhjetë vjet më vonë, Telekomi gjendet buzë falimentimit, derisa në 2009’ën ishte ndër kompanitë më profitabile të Kosovës.

Telekomi po ashtu është gjobitur nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit në vitin 2016 me rreth 30 milionë euro për mosrespektim të kontratës që tani po skadon.

Asnjëherë nuk u mësuan arsyet dhe shkaktarët e mosrespektimit të kontratës, që cuan në dënimin e Telekomit me miliona euro.

Akoma nuk dihet se sa është shuma e tanishme që Telekomit i ka borxh Z-Mobilet. Operatori privat në fund të prillit të këtij viti ka thënë se kompania publike ia ka borxh 25.9 milionë euro, ndërsa as kjo shumë nuk është e sigurt.

Gazeta Express ka raportuar vazhdimisht për kontratën që e ka dëmtuar Telekomin, ndërsa Kuvendi së fundmi ka krijuar një Komision Hetimor për gjendjen në PTK dhe Vala.

Aty ka shkuar për të dëshmuar edhe shefi i Z-Mobile’it, biznesmeni Devolli. /Express/

No tags for this post.