Sot nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në Sallën e Kulturës në Drenas u mbajt Akademia Përkujtimore për të nderuar 26 dëshmorët e Komunës sonë të rënë mes datave 13.04.1998/99 dhe 19.04.1998/99.

Akademinë e hapi historiani Hamdi Thaçi i cili ndër të tjera tha se dëshmorët e lirisë janë krenaria jonë kombëtare dhe janë gjithmonë në zemrat dhe mendjet tona dhe se ne i kujtojmë ata në çdo hap dhe aktivitet që ne bëjmë.

Në fjalën e tij kryetari Lladrovci tha se sot ne i nderojmë heronjtë dhe dëshmorët tanë dhe sakrificën e tyre sublime. Ne nderojmë ata dhe idealin e tyre me punën tonë kur secili prej nesh e kryen punën e vet me nder, me përgjegjësi dhe ligj në shërbim të qytetarëve pa dallim.

Përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta, Enver Hajdari tha se muaj prill është muaj i dhimbshëm pasi gjatë këtij muaji ranë shumë dëshmorë të cilët ne asnjëherë nuk i harrojmë sepse pa luftën e UÇK-së të udhëhequr nga Komandanti Adem Jashari nuk do të ishim këtu ku jemi sot.

Në emër të familjarëve të të rënëve të pranishmit i përshëndeti Arlind Bytyqi, djali i dëshmorit Mehdi Bytyqi, i cili tha se detyrë e jona mbetet jetësimi i amanetit të të rënëve për lirinë tonë.

Akademia u mbyll me një recitim nga Rijad Morina të poezisë së Gjergj Fishtës “Gjuha Shqype”

Kujtojmë se në këtë Akademi Përkujtimore u nderuan këta dëshmorë:
Rasim Misin Sopi, Kadri Ramadan Karaqica, Fazli Shaban Qerkini, Bejtë Pajazit Rexhepi, Hajzer Xhemajl Rexhepi, Mehdi Amrush Berisha, Agron Sherif Berisha, Naim Azem Tiku, Hashim Shaqir Uka, Mehdi Nebih Bytyqi, Gëzim Hagji Morina, Halill Mehmet Bajraktari, Sokol Regjep Elshani, Fetah Ali Kiqina, Besim Bislim Malaj, Azem Miftar Hajdari, Ramadan Elmi Bytyqi, Mentor Nazim Morina, Mehdi Zymer Fazliu, Islam Mehmet Kastrati, Mentor Naim Gashi, Muhamet Asllan Gashi, Nuredin Adem Munishi, Halim Ramadan Bajraktari , Agim Osman Elshani dhe Tahir Topilla.