Pagesa për punëtorët për të cilët nuk ka dëshmi se kanë  dalë në vendin e punës, pagesa mbi normë për profesorët si dhe realizim i dobët i planifikimeve buxhetore janë disa nga të gjeturat e Auditorit për ministrinë e drejtuar nga Shyqiri Bytyqi i Nismës, shkruan lajmi.net.

Kësisoj sipas ZKA-së, 32 nënpunës të komunitetit serb i kanë marrë pagat e tyre, ani pse për ta nuk ekziston dëshmi e caktuar se janë paraqitur në vendin e punës.

“Duke u bazuar në marrëveshjen e Brukselit, përkatësisht në Ligjin nr.04/L-199 për ratifikimin e marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Qeveria e Kosovës me vendim nr. 06/39 të datës 22.07.2015, ka aprovuar konkluzionet e dakorduara për Shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojta Civile” e cila ka funksionuar në komunat veriore të Kosovës, si dhe mbështet zotimet e përcaktuara me këto konkluzione.

Përmes këtij vendimi, obligohen ministritë dhe agjencitë përkatëse që të bëjnë zbatimin e konkluzioneve sipas përgjegjësisë ligjore.

Në MAShT, pas një procesi të rekrutimit me akt emërime ishin integruar 32 nëpunës të komunitetit serb, ish pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”. Këta punonjës ishin planifikuar të sistemohen nëpër komunat në pjesën veriore të Kosovës. Megjithatë, në aktemërimet e tyre, të punësuarit janë sistemuar në pozita të caktuara brenda departamenteve përkatëse në ministri”, thuhet në të gjeturën e auditorit.

Për zyrtarët e lartcekur ministria nuk ka dëshmi për ta konfirmuar paraqitjen e tyre në vendin e punës, siç i obligon Rregullorja nr. 05/2010 e orarit të punës e hartuar nga Ministria e Administratës Publike, përderisa ministria kishte bërë pagesën e rregullt të pagave të tyre.

Vlera financiare për shpenzimet e pagave për vitin 2018, për këta 32 zyrtarë ishte 134 mijë e 657 euro.

Kompensimi anëtarëve të Senatit në Universitetin e Gjilanit pa mbajtur mbledhje.

Rregullorja e brendshme nr. 02/1486 e Universiteti të Gjilanit për pagesën e anëtarëve të senatit, respektivisht neni 4 i kësaj rregullore përcakton se pagesa për çdo anëtarë të senatit do të jetë në shumë lineare prej 70 euro bruto në muaj, nëse marrin pjesë në mbledhje.

Auditori  ka identifikuar se 19 anëtarë të Senatit në Universitetin e Gjilanit të cilët ishin kompensuar për katër (4) mbledhje (janar, shkurt, mars dhe qershor 2018) të cilat nuk ishin mbajtur fare nga Senati. Vlera e kompensimeve është 5 mijë e 320 euro. (19*4*70€=5,320€).

Pagesat e tilla kanë ndodhur për shkak të dështimit të kontrolleve nga zyrtarët përgjegjës të universitetit.

Sipas Auditorit, ministri së bashku me Rektorin duhet të sigurojë se të gjitha pagesat të pa arsyetuara për kompensime ndaj anëtarëve të senatit të kthehen në buxhetin e Kosovës, dhe në të ardhmen, të siguroj zbatim të rregullores përkatëse.

Kompensimi i komisioneve të brendshme brenda orarit të punës.

Rregullorja nr. 33/2012 për shtesat në pagë dhe kompensime të tjera të nëpunësve civilë, neni 7 përcakton llojet e kompensimeve për nëpunësit civil të cilët kanë drejt të kompensohem. Në kuadër të këtyre kompensimeve bëjnë pjesë kompensimet: për punën jashtë orarit të rregullt gjatë ditëve të punës, punën jashtë orarit gjatë fundjavës, punën jashtë orarit gjatë festave zyrtare, gjatë kohës së pushimit vjetor.

Auditori ka identifikuar se anëtarët e Komisionit për Zgjedhjen e Kontesteve dhe të Ankesave në MAShT ishin kompensuar derisa takimet i kishte mbajtur gjatë orarit të rregullt të punës.

Pra, komisioni i caktuar nuk kishte punuar jashtë orarit të rregullt të punës dhe për ketë nuk do të duhej të paguhet.

Vlera e kompensimeve shtesë për katër anëtarët e komisionit për muajin qershor dhe korrik ishte 994€.

Arsye e këtyre pagesave ishte mungesa njohurive lidhur me aktet ligjore që e ndalojnë këtë lloj kompensimi.

Sipas Auditorit, pagesat e realizuara ndaj punonjësve nuk janë të mbështetura me bazë ligjore, dhe si të tilla, mund ta dëmtojnë buxhetin e ministrisë për vlerën e shpenzuar.

Ndryshe, në vitin 2018, ministria ka shpenzuar 88% të buxhetit final ose 49 milionë e 447 mijë e 601 euro.

Pra, realizimi i buxhetit nuk është në nivel të kënaqshëm pasi që 12% e buxhetit nuk ishte shpenzuar.