Luksi i shpenzimeve në Komunën e Drenasit

Qendra e Lëvizjës Vetëvendosje në Drenas,ka akuzuar kryetarin e kësaj komune se ka shpenzuar buxhetin e Komunës në mallra dhe sherbime, ndërsa  ka një suficit prej 800 mijë euro.
Sipas Lëvizjës Vetëvendosje në Drenas, në vitin e kaluar shumë kërkesa të qytetarëve dhe organizatave të ndryshme për investime publike janë refuzuar nga drejtuesit e Komunës së Drenasit me arsyetimin se ka mungesë të buxhetit.
Mirëpo, raporti i kryetarit për vitin e kaluar tregon që Komuna nuk i ka shpenzuar rreth 600 mijë euro nga granti qeveritar dhe 200 mijë euro të tjera nga të hyrat vetanake. Ky suficit që kap vlerën e 800 mijë euro është mundësi e humbur për të përmirësuar infrastrukturën dhe shërbimet publike në Komunën tonë.
Suficiti i lartë buxhetor i vitit të kaluar e ka rikonfirmuar edhe një herë mungesën e vullnetit dhe aftësisë menaxheriale tek zyrtarët komunalë. Sikur t’i kishin këto dy tipare Kryetari i Komunës dhe ekipi i tij, do të kishim një gjendje shumë më të mirë në arsim, shëndetësi, bujqësi dhe në fusha të tjera.
Raporti financiar tregon që zyrtarët komunalë janë kujdesur mirë për ta shpenzuar maksimalisht buxhetin për mallra dhe shërbime publike, gjë që nuk ka ndodhur në kategorinë ekonomike, atë të investimeve kapitale.
Në kategorinë mallra dhe shërbime publike kemi vërejtur shpenzime enorme për darka zyrtare, karburant dhe telefon. Shpenzimi i 18,500 euro për darka zyrtare, 23,300 euro për telefon dhe 46,300 për derivate është luks i tepruar i zyrtarëve komunalë që udhëheqin një Komunë me qytetarë të varfër, thuhet në komunikaten e Vetëvendosjes.
Vetëvendosje në Drenas vlerëson se Dështimet dhe keqpërdorimet e Komunës së Drenasit që përsëritën në secilin vit, po ua humbin shpresën qytetarëve për një jetë më të mirë. Ne do të vazhdojmë edhe këtë vit opozitarizmin në Kuvendin Komunal dhe jashtë tij, duke mos kursyer asnjë veprim demokratik.
Por, ndryshimet e mëdha nuk bëhen pa një angazhim të secilit qytetarë në jetën publike e politike. Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka dëshmuar sa herë që është e gatshme për bashkëpunimin sa me të ngushtë me qytetarët dhe organizatat e ndryshme, në mënyrë që në Drenas të ketë qytetari aktive për të pas një udhëheqje të përgjegjshme./Infodirekt.tv/