Luftanija amerikane futet në ujërat e kontestuara të Detit Jugor të Kinës

Një luftanije amerikane që shërben për shkatërrim të raketave ka hyrë në ujërat e Detit Jugor Kinez dhe është vendosur afër ishujve të kontestuar. Kina e ka vlerësuar si provokim këtë veprim të forcave amerikane.

Zëdhënësja amerikane e Flotës së Paqësorit, Rachel McMarr, ka thënë se ky operacion nuk është kundër asnjë shteti dhe nuk ka qëllime politike. Ky veprim ndodhi pikërisht në kohën kur po pritet rifillimi i negociatave tregtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lu Kang, ka thënë se qarkullimi i anijes amerikane është kundër ligjit kinez dhe ndërkombëtar dhe e dënojnë këtë veprim. “Kërkojmë nga Shtetet e Bashkuara që menjëherë të heqin dorë nga ky lloj provokimi”, ka thënë zëdhënësi, duke shtuar se Kina ka dërguar anije ushtarake dhe aeroplanë për ta identifikuar anijen dhe për t’ia tërhequr vërejtjen.

Kina e konsideron pjesën më të madhe të Detit të Jugut si territor ujor të vetin dhe shpesh i kritikon Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj për operacionet detare që kryhen në këtë zonë, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.