Luan futboll ditën e Martesës

Liridon Syla ka luajtur futboll ditën e martesës, pastaj ka vazhduar në ceremoninë e dasmës së tij, pasi po të njëjtën ditë është martuar.
Diçka të pazakontë ka bërë një futbollist kosovar. Liridon Syla luajti futboll në ditën e martesës, ku për disa orë e la shtëpinë plot dasmorë, pasi shkoi në stadiumin ‘Bajram Aliu’ për t’i ndihmuar ekipit kuqezi në ndeshjen kampionale ndaj Hajvalisë.
Ai luajti gjatë gjithë lojës, të cilën e fitoi me rezultat 1:0.
Për ta arritur këtë, Syla e dha atomin e fundit nga vetja, saqë edhe ishte lënduar, ndonëse ishte i vetëdijshëm se pas pak orësh do të bëhet dhëndër.
“Familjarët më mbështetën dhe më lejuan të shkojë ta luaj ndeshjen kampionale dhe të kthehem në shtëpi, ku kisha dasmë. Shumica e familjarëve janë marrë me sport dhe më kuptonin se dëshiroja t’i ndihmoja ekipit”, tha Syla për ‘Zërin’.
Ai e pranon se atë ditë kishte gëzim të dyfishtë, pasi përveç që do të martohej edhe e fitoi ndeshjen kundër Hajvalisë.
“Ishte ditë fantastike, të cilën nuk do ta harrojë asnjëherë. Me ekipin tim e shënuam një fitore të madhe, ndërsa kisha dasmë në shtëpi. Ishte gëzim i dyfishtë për mua”.