Futbollistët e Manchester Unitedit raportohet se ishin të befasuar kur Paul Pogba e mori topin për ta gjuajtur penalltinë kundër Wolves fundjavën e kaluar. Ata duan që vetëm Marcus Rashfordi ta ketë këtë përgjegjësi.

Penalltia e humbur nga Paul Pogba në pjesën e dytë kundër Wolves, që ndikoi në rezultatin 1:1 të ndeshjes të së hënës, e ka sjellë problemin e gjuajtjes së penalltive në Manchester Unitedi në qendër të vëmendjes, transmeton Gazeta Express.

Së fundi, mediat britanike pretendojnë se futbollistët e tjerë të Manchester Unitedit dëshirojnë që penalltitë e ardhshme t’i gjuajë vetëm Marcus Rashfordi, e jo të ndahet kjo përgjegjësi me Pogban.

Francezi e kishte fituar vetë penalltinë që e humbi, Por, sipas Daily Mail, lojtarët e Manchester Unitedit kishin mbetur të befasuar kur Pogba e mori topin për ta gjuajtur futbollin, pasi që Rashfordi ishte treguar i saktë nga pika e penalltisë në ndeshjen e kaluar, në fitoren 4:0 kundër Chelseat.

Pogba dhe Rashfordi biseduan mes vete para se të gjuhej ajo penallti, ashtu siç kishin bërë edhe para se Rashfordi ta shënonte një penallti kundër Chelseat në ndeshjen paraprake. Trajneri Ole Gunnar Solskjaer u kritikua që s’e ka zgjedhur vetëm një lojtar për të gjuajtur penallti, mirëpo ai e mbrojti vendimin e tij pas ndeshjes.

“Natyrisht, ne e kishim një penallti ku normalisht do t’i merrnim edhe dy pikë të tjera dhe ta shënonim atë, por nganjëherë portieri bën pritje të mira”, u shpreh Solskjaer pas ndeshjes, në një intervistë të dhënë për Sky Sports.

“Ata dy [Rashfordi dhe Pogba] janë të caktuar për t’i gjuajtur penalltitë, mirëpo ata vendosin, në atë vend dhe në atë moment, se kush do ta gjuajë secilën penallti”.

“Nganjëherë lojtarë thjesht kanë vetëbesim se do të shënojnë. Pauli i ka shënuar për ne aq shumë dhe sot Patricio e bëri një pritje të mirë”.

“Por, ju mund ta shihni nga përgatitjet tona se janë dy gjuajtës të penalltive të caktuar”. /Gazeta Express/