Lladrovci nënshkruan një marrëveshje të rëndësishme

Me qëllim të harmonizimit të gjendjes pronësore në terren me atë në regjistrat zyrtar pronësorë, Agjencia Kadastrale e Kosovës është në përgatitje të fillimit të projektit të rindërtimit të informacioneve kadastrale në katër Komuna, respektivisht në Komunën e Vitisë, Kamenicës, Skenderajt dhe Drenasit.

Loading...

Për këtë arsye Kryeshefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti me bashkëpunëtorë sot ka vizituar Komunën e Drenasit ku është pritur nga Kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij.

Qëllimi i takimit ishte informimi rreth projektit në tërësi dhe Zonave Kadastrale që do i nënshtrohen rindërtimit në këtë Komuna në veçanti, konkretisht Zona Kadastrale Arllat dhe Zona Kadastrale Shtuticë.

Tema e interesit ishte njoftim i detajuar rreth fazave të projektit, përfitimeve që qytetarët e këtyre dy Zonave Kadastrale kanë nga implementimi i projektit, përgjegjësitë e institucioneve të përfshira në implementim e ngjashëm. Në takim nga përfaqësuesit e dy institucioneve u ngrit nevoja e bashkëpunimit sa më të ngushtë gjatë të gjitha fazave të implementimit të projektit, e sidomos bashkëpunimi me banorët e zonave subjekt i rindërtimit, duke e ditur se vetëm me pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në projekt i njëjti do të mund të rezultonte i suksesshëm.

LLadrovci nga ana e tij u zotua në përkrahjen institucionale e logjistike për zbatimin e projektit në fjalë, ndërsa edhe nga përfaqësuesit e Agjencisë kërkoi që pa pikë hezitimi të shtrojnë për diskutim të gjitha sfidat që mund të paraqiten gjatë implementimit të projektit.

Po ashtu Kryetari i Komunës së Drenasit kërkoi informim sa më gjithëpërfshirës të qytetarëve rreth obligimeve që ata kanë gjatë fazave të implementimit të projektit, me qëllim të përfitimit maksimal të tyre, sidomos duke e ditur se aktivitetet e përfshira në Rindërtim kryhen pa pagesë.

Kryeshefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës u zotua se bashkëpunimi nuk do të mungojë dhe garantoi që edhe Komuna edhe qytetarët do të kenë adresë të hapur për të ngritur të gjitha shqetësimet tyre, pa marrë parasysh a kanë të bëjnë me procesin e implementimit të projektit, apo me kualitetin e të dhënave që do të dalin si rezultat i projektit.

Në fund të takimin përfaqësuesit e institucioneve përkatëse nënshkruan edhe Marrëveshjen për bashkëpunim për projektin e rindërtimit të informacioneve Kadastrale në Zonën Kadastrale Arllat dhe Shtuticë.

Fotografia e Komuna e Drenasit

Fotografia e Komuna e Drenasit