Lladrovci flet për pamjet ku bashkë me drejtorin e Postës sfidohen për punësimet

Të hënën u publikua një video nga një ndejë në fshatin Fushticë e Epërme të organizuar në një odë në kuadër të zgjedhjeve në një nëndegë të PDK-së në komunën e Drenasit, ku shihet kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i ulur afër drejtorit të Postës, Sejdi Hoxha.

Të ftuar në këtë ndejë ishin edhe qytetarë, që kritikojnë se po punësojnë vetëm njerëzit e tyre ndërsa sipas tyre nga fshati janë punësuar vetëm 2-3 veta. Gjithashtu akuzojnë Lladrovcin për mosrealizimin e premtimeve për punësim.

Ndërkaq, Lladrovci në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se kjo video e publikuar është përgjysmuar që si rrjedhojë ka ‘gjymtuar’ kontekstin.

“Ne në komunën e Drenasit, jemi shumë të modernizuar dhe me pajisje të mira për incizim. Gjithandej odave, edhe gjatë fushatave të kaluara elektorale, jemi përcjell me incizime se çka flasim e si flasim. Dhjetëra prej tyre, janë shpërndarë në rrjete sociale e manipuluar duke i shkëputur ato, duke gjymtuar mesazhin dhe kontekstin”, u shpreh Lladrovci.

Sa i përket mosrealizimit të premtimeve të dhëna gjatë fushatave parazgjedhore për punësime, i pari i Drenasit e mohon se ka bërë ‘pazare’ për vota.

“Kurrë, në asnjë fushatë, nuk kam premtuar as premtoj punësime për vota. Kam premtuar projekte zhvillimore, infrastrukturë dhe perspektivë që mund të ofrojë Komuna, ndërsa pazare për votë, kurrë, kurrë”, tha ai.

Lladrovci sugjeroj që të merret incizimi i plotë nga kjo ndejë, pasi që sipas tij, ‘publikimi i pjesës së incizimit jashtë kontekstit, nuk është e ndershme’.

“Ju rekomandoj të shkoni në Fushticë te mikpritësi që ka bërë incizimin nga oda e tij dhe e ka shpërnda incizimin pa pagesë, të merrni tërë materialin që të mos mbesim me mesazhe gjysmake”, tha kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Mbrëmë ish-asamblisti i Drenasit, Xhavit Drenori ka postuar një video në rrjetin social ‘Facebook’.

Në këtë video në të cilën shihet kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i ulur afër drejtorit të Postës Sejdi Hoxha, të cilin qytetarët gjatë një ndeje e kritikojnë se po punësojnë vetëm njerëzit e tyre ndërsa nga fshati janë punësuar vetëm 2-3 veta.

Gjithashtu, një qytetar e kritikon kryetarin e Drenasit pse nuk po i punësojnë djemtë e fshatit, duke treguar për njërin që, sipas tij, i ka dy fakultete të kryera.

Në këtë situatë, Ramiz Lladrovci akuzohet se i ka gënjyer ata, duke premtuar punësime.

“Për me rrejtë na jemi të mbramtë që rrejna”, përgjigjet kryetari Lladrovci ndaj kritikave të bëra edhe nga Naim Bazaj, një prej eksponentëve kryesor të PDK-së në Drenas.

Kjo është video e postuar nga Xhavit Drenori: