Limaj e pranon se mund të ketë zgjedhje të parakohshme

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme mund të ndodhin, mirëpo vetëm atëherë kur është në interes të Kosovës, duke potencuar se interesi shtetëror para atij partiak.

Limaj ka thënë se i rëndësishëm është bashkimi i strukturave politike dhe të arrihet konsensus për interesa në të mirë të vendit,

Loading...

“Kosova ka çështje të tjera më të rëndësishme me të cilat duhet të merret, para se të hyjë në zgjedhje të parakohshme. Vendi nuk duhet të mbes peng i tyre, por të vazhdojë në zhvillime të tjera”, ka thënë Limaj për EO.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate ka thënë se nuk ka asnjë sinjal se këtë vit do të ketë zgjedhje të reja, ndërsa takimet e fundit të partisë të cilën ai e drejton, i ka quajtur të zakonshme, të punës brenda partisë.

“Këtë vit askush nuk ka pritje reale, besoj e dini se nuk ka asnjë shenjë që do të ketë zgjedhje këtë vit, por ne si parti punojmë dhe zhvillohemi, forcohemi, përgatitemi, kontaktojmë me elektoratin tonë, bashkëbisedojmë, raportojmë me elektoratin për të arriturat dhe kjo është një jetë politike normale që ne vazhdojmë e bëjmë rregullisht”, tha Limaj.

Sipas tij, situatë e pashmangshme e zgjedhjeve të parakohshme, krijohet kur nuk  kryhen detyrat, kur temat nuk përmbyllen, kur Qeveria nuk e kryen detyrën e vet. “Deri më tani nuk kemi pa sinjale të tilla”, tha Limaj, duke potencuar se zgjedhjet e parakohshme nuk e ndihmojnë vendin, madje sipas tij, ato mund ta vështirësojnë pozicionin e vendit në arenën ndërkombëtare.

Ai pret që dialogu Kosovë-Serbi të bashkojë forcat politike e assesi të dërgojë vendin në zgjedhje.

“Unë po pres që shumë shpejt çështja e dialogut të na bashkojë, jo që të na çojë në zgjedhje. Po pres shumë shpejt që shumica e deputetëve të parlamentit të Kosovës të votojnë delegacionin shtetëror për bisedime dhe ta normalizojmë këtë situatë”, tha ai.