Limaj e Ahmeti nuk dinë asgjë për negociatat sekrete të Presidentit

Dy udhëheqësit e delegacionit shtetëror, Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj kanë takuar sot Federica Mogherinin, ndërsa jashtë Brukselit nuk është se janë në hap me Presidentin Thaçi. Për Gazetën Express në kryeqytetin europian Limaj e Ahmeti kanë treguar nëse kanë komunikuar së fundmi me Presidentin Thaçi dhe se a u ka treguar ai delegacionit se çfarë ka biseduar me diplomatin amerikan në takimin e Berlinit, që e mbajti të fshehur.

Derisa Presidenti Thaçi, që udhëheq dialogun me Serbinë, po sfidon qeverinë me deklarata rreth taksës dhe me takime, të cilat i ka mbajtur sekrete, delegacioni i udhëhequr nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj kanë mbajtur takimin me përfaqësuesen e Lartë, Federica Mogherini.

Pas takimit, Ahmeti e Limaj treguan se Mogherini u bëri të qartë që Bashkimi Evropian nuk përkrah arritje të marrëveshjes mbi baza të ndarjeve etnike. Marrëveshja, sipas Mogherinit, të cilën e citoi para mediave Shpend Ahmeti, duhet të përfaqësojë vlerat e BE’së.

Megjithatë tentativat për të arritur një marrëveshje me Serbinë nuk kanë linjë të vetme Brukselin. Në mediat ndërkombëtare janë botuar shkrime ku thuhet se administrata e Trumpit po pëdorë një kanal të pazbuluar për uljen e tensioneve mes Kosovës e Serbisë.

Pas kësaj Presidenti Thaçi është takuar me një njëri të afër të Trumpit, ambasadorin e SHBA’së në Bruksel, Richard Grenell.

Limaj në një intervistë të shkurtër dhënë Gazetës Express sot në Bruksel, ka thënë se delegaconi shtetëror që ai udhëheq nuk ka asnjë informacion për bisedimet që ka zhvilluar Thaci anash Brukselit.

Limaj, i pyetur nëse Presidenti Thaçi u ka treguar se cfarë ka folur me diplomatin amerikan, thotë se nuk di asgjë rreth atij takimi.

“Ne nuk kemi pasur asnjë informacion për takimin e Presidentit për rastin që po flisni”, ëstë shprehur Limaj.

Derisa thotë se nuk e di se për çfarë po bisedohet në “kanalet e veçanta”, për të cilat ka shkruar The Washington Post, Limaj tregon se në takimet që kanë me presidentin, ky i fundit nuk flet asnjëherë për çështjen e ndryshimit të kufijve.

Ndërsa, Shpend Ahmeti ka thënë për Gazetën Express se nuk janë të informuar se cka ka folur Thaçi me njeriun e Trumpit dhe delegacionit që ai udhëheq as nuk iu duhet të dijnë se me kë takohet Thaçi dhe çka flet me ta.

“Nuk ka çka me na tregu që takohet Thaçi me ndonjë ambasador”, ka thënë Ahmeti në një prononcim për Gazetën Express.

Ahmeti ka thënë se në takimin e parë me Presidentin Thaçi, menjëherë pas formimit të delegacionit, ka marrë shënime për temat të cilat Presidenti ka treguar se i ka folur në Bruksel, por dokumentet akoma nuk i kanë.

Ndërsa, Ahmeti edhe Limaj ka treguar se nuk kanë marrë dokumente nga Presidenti dhe se po i presin ato.

“Jo akoma. Ne kemi dërguar një letër që të na furnizojë me gjitha dokumentacionet e deritanishme. Ditëve në vijim presim Zyrën e Presidentit t’ia ofrojë delegacionit shtetëror”, ka thënë Limaj.

Edhe pas përfundimit të takimit me Mogherinin, Ahmeti ka thënë se “është e qartë që ka pasur bisedë edhe me SHBA-në e Rusinë, lidhur me arritjen e ndonjë marrëveshjeje”.
Në Bruksel sot është zhvilluar takimi njohës mes delgacionit shtetëror për dialogun me Serbinë dhe Mogherinit.

Pjesë e këtij delegacioni, që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj, janë edhe zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Enver Hoxhaj dhe Dardan Gashi; Avni Arifi i AAK’së, Mahir Jagcilar nga 6+, Visar Ymeri dhe Dukagjin, që zëvendësojnë LDK’në dhe Vetëvendosjen, të cilat refuzojnë t’i bashkohen këtij ekipi.